Kosova-Azerbajxhani, një finale e madhe!

Futboll

Kosova-Azerbajxhani, një finale e madhe!

Nga: Kemajl Goca Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 10:12
Pamje nga konferenca

Kosova është përgatitur për fitore dhe për festë! Çdo gjë është e gatshme për sfidën me Azerbajxhanin, e cila është si finale në kuadër të grupit 3 të Ligës së Kombeve në divizionin D në futboll.  Stadiumi “Fadil, Vokrri” në Prishtinë,  nuk do të ketë vend për të gjithë tifozët e interesuar për të pa sfidën drithëruese mes kombëtares së Kosovës dhe Azerbajxhanit. Kosovës i mjafton edhe barazimi për të përfunduar në vend të parë dhe që e shpie në Ligën C, si dhe në garat e play-off-it në luftë për të siguruar biletën për në Kampionatin Evropian 2020.

Azerbajxhani pretendon fitore për të zënë vendin e parë, sepse çdo rezultat tjetër është humbje për ta. Kosova udhëheq me 11 pikë, ka dy më shumë se Azerbajxhani në pozitën e dytë. Në hapje të grupit Kosova kishte barazuar (0:0) në Baku me Azerbajxhanin dhe kjo pikë e fituar atëkohë ka qenë si fitore. Sidomos fitorja e fundit në Maltë me 5:0 Kosovën e bën jashtëzakonisht të qetë për takimin e sotëm në orën 20.45.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka njohuri për Azerbajxhanin dhe beson se do të arrijnë rezultat të favorshëm. Azerbajxhani është ekip e papërshtatshme, por në taborin e Kosovës besojnë e shpresojnë se përparësia e fushës, po ashtu edhe përkrahja nga tifozët “Dardanë”, si lojtari i 12-të, do të janë aleati më i fortë për fitore. “Më vjen mirë që po shoh një interesim të madh të mediave dhe ky është një tregues për rëndësinë e madhe që ka ndeshja për të dyja ekipet. Do ta kemi një lojë të mirë dhe e dimë se është rrethi i fundit dhe gjasat për fitore janë 50 me 50 për qind. Në Azerbajxhan kemi luajtur baras. Skuadra e Azerbajxhanit është një skuadër e fortë dhe e mirë, prandaj edhe gjasat janë të barabarta.

Azerbajxhani është favorit pasi që ka shumë më shumë përvojë se sa ne, por ne hyjmë për fitore dhe jam i bindur se me përkrahjen e tifozëve tanë të zjarrtë do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Nuk do ta ndërrojmë filozofinë e lojës. Sot duhet edhe të rrezikojmë. Edhe nëse humbasim do ta vazhdojmë jetën, por e ritheksoj unë besoj në fitore”, ka theksuar Challandes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat