Fury: Kam mundur djallin brenda meje

Futboll

Fury: Kam mundur djallin brenda meje

Më: 20 nëntor 2018 Në ora: 18:05
Tyson Fury

Boksieri britanik Tyson Fury ka deklaruar sot se është më i vendosur se kurrë për t’u rikthyer kampion bote në peshën e rëndë në boks dhe se asgjë dhe askush nuk do ta ndalë në duelin e 1 dhjetorit ndaj Deontay Wilder për të përmbushur misionin e tij. Fury rikthehet në ring 3 vjet pas duelit të fundit, kur shpallej kampion bote pas duelit ndaj Wladimir Klitschko dhe më pas, problemet e shumta që pati me veten, bënë që të humbiste titujt por jo pathyeshmërinë.

“Njerëzit thonë se nuk jam më ai boksier i para 3 viteve, kur mundja Klitschko dhe unë jam dakord me ata. Ai Tyson Fury ka vdekur, ka vdekur me gjithë problemet mendore që kishte. Ky që keni përballë është një Tyson Fury i ri, më i fortë dhe më i vendosur se asokohe. Unë dua që ta poshtëroj Deontay Wilder në ring, pasi ai tha se unë nuk mund të rikthehesha më si dikur dhe se mund të më mposhtë, por gabon”, tha Fury.

“Unë jam një boksier i pamposhtur, unë i kam përmbysur parashikimet që kur kam lindur. Kam lindur 8 javë më herët, kam vdekur 3 herë dhe kam mposhtur djallin brenda meje me problemet mendore që kisha. Nëse unë mund t’i mposht gjithë këto gjëra kam mundësi ta mund këtë rival më 1 dhjetor me një palë doreza”, u shpreh Fury.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat