Gjermanët në FFK

Futboll

Gjermanët në FFK

Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 15:51
Gjermanët në FFK

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e tij zëvendëspresidentin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Erwin Bugar dhe ish-zëvendëspresidentin e DFB-së, Rainer Milkoreit, të shoqëruar nga vëllezërit, Zija e Nexhat Shoshi dhe Fekmi Kongjeli. Të pranishëm në këtë pritje ishin edhe nënkryetarët e FFK-së, Bakir Burri e Agim Dibrani, anëtarët e KE, Vjollcë Krasniqi e Bekim Rexhepi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu. Gjatë një takimi të ngrohtë e shumë miqësor, presidenti Ademi e njoftoi zëvendëspresidentin e ri të DFB-së për ecurinë e futbollit kosovar që nga mëvetësimi e deri në ditët e sotme, duke e vu theksin në bashkëpunimin shumë të frytshëm me DFB-në në shumë aspekte, e sidomos në trajnimin e trajnerëve, derisa për z. Milkoreit presidenti theksoi se ai i di shumë mirë të gjitha rrjedhat në futbollin e Kosovës, ngase tash e sa vite ka qenë pjesë e partneritetit me ne.

Presidenti e falënderoj DFB-në për gjithçka çfarë ka bërë për FFK-në dhe po ashtu edhe përfaqësuesit tonë, vëllezërit Shoshi dhe Kongjeli, që kanë kontribuar në këtë partneritet kaq të afërt mes dy federatave. Në anën tjetër Erwin Bugar dhe Rainer Milkoreit u shprehën tejet të lumtur me progresin që e ka bërë FFK-ja dhe me rezultatet që po arrin në garat ndërkombëtare, jo vetëm me Kombëtaren A, por edhe me Kombëtaret e grupmoshave, derisa  përgëzuan drejtuesit e FFK-së që kanë arritur të gjejnë forcë dhe të organizohen në mënyrë të shkëlqyeshme pas vdekjes së ish-presidentit Vokrri.  

“Rezultati i mbrëmshëm është verifikim i punës dhe organizimit të mirë të FFK-së. Ajo çfarë kemi parë mbrëmë vërtet na ka fascinuar dhe gjithçka ka qenë perfekte. Me vdekjen e Fadil Vokrrit keni humbur shumë si federatë, por ju lumtë për mënyrën se si e keni menaxhuar situatën dhe që e keni zgjedhur njeriun e duhur për t’iu prirë proceseve dhe tani po e vërej që të gjitha proceset po shkojnë në mënyrë të jashtëzakonshme, derisa respekti që po i bëhet ish-presidentit në çdo ndeshje në minutën e 9-të është vërtet për t’u admiruar”, ka theksuar Milkoreit.
Ndërkaq, zëvendëspresidenti i DFB-së, Erwin Bugar është shprehur i lumtur me atë çfarë ka dëgjuar në rezymenë e presidentit Ademi në rrugëtimin e FFK-së, si dhe paralajmëroi se shumë shpejtë Kosovën do ta vizitojë edhe presidenti i DFB-së. “Përveç rregullimit të strukturave të FFK-së po dëshmoni edhe rezultate. Unë qysh në mbledhjen e radhës së DFB-së do ta bëjë në raport për rrugëtimin dhe të arriturat tuaja brenda kësaj kohe shumë të shkurtër. Ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin, ngase ka shumë projekte në të cilat mund t’iu ndihmojmë”, është shprehur Bugar. Gjatë këtij takimi u dakordua vazhdimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy federatave, derisa në fund presidenti Ademi ndau edhe dhurata të veçanta për mysafirët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat