Sermaxhaj: Besoj fuqishëm se Kosova do ta mposht edhe Maqedoninë

Futboll

Sermaxhaj: Besoj fuqishëm se Kosova do ta mposht edhe Maqedoninë

Nga: Kemajl Goca Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 19:35
Sermaxhaj: Besoj fuqishëm se Kosova do ta mposht edhe Maqedoninë

Djelmoshat e kombëtares së Kosovës deri në orët e hershme të së mërkurës festuan kualifikimin në gjysmëfinalen e play-off-it, për të kërkuar një biletë direkt për në Kampionatin Evropian 2020 dhe po ashtu edhe ngritjen në Divizionin C të Ligës së Kombeve në futboll. Kosova përfundoi në vend të parë me 14 pikë në grupin 3 të Divizionit D, pesë më shumë se Azerbajxhani. Fitorja e të martës mbrëma me rezultat 4:0 ndaj Azerbajxhanit, rivalit direkt për vend të parë, ka qenë qershia mbi tortë dhe festë për shtetin e Kosovës. 

Analisti i futbollit Genc Sermaxhaj, tha se kjo ligë ka qenë e mirëseardhur. “Pa dyshim që Kosova ka arritur shumë në Ligën e Kombeve, ku përveç ngritjes në Ligen C, ajo tregoi lojëra jashtëzakonisht të mira dhe me shumë shënime të golave.  Kjo ligë ka qenë e mirëseardhur jo vetëm për Kosovën por edhe për Kombëtaret tjera të nivelit të njëjtë sepse secila ka mundur me lehtësi të përballet me tjetrën dhe shumë pak kemi pasur favoritë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”,  Sermaxhaj. Më tutje theksoi se Kosova ka talent të mëdhenj: “Por Kosova tregoi se ka talent të mëdhenj të cilët e dëshmuan vetën me paraqitjet e tyre dhe jo rastësisht kemi dal të parët në grup. Merita kanë të gjithë por njeriu i cili arriti të mbaj këtë grup te lojtarëve në nivel të detyrës ishte Bernard Challandes i cili me plot profesionalizëm ndryshoi lojën tonë. Duhet të përballemi me kundërshtarët tjerë të nivelit më të lartë për të parë se a kanë qenë këto rezultate të rastësishme apo jo.

Gjithsesi është parë se kemi ngritje dhe duhet të vazhdojmë që të përmirësohemi edhe më shumë dhe të jemi çdo herë të rrezikshëm për kundërshtarët”. Në mars të vitit 2020 Kosova takohet me Maqedoninë,  a shpresoni se do të janë më të komponuar deri atëherë? “Edhe dy vite mund të ndryshojnë shumë gjëra. Nuk duhet të bazohemi shumë me të arriturat e tanishme sepse deri në përballje me Maqedoninë ose mund të jemi edhe më të forte se tani apo mund të jetë koha e ndonjë krize të lojës dhe rezultateve. Prandaj ne duhet të jemi në vazhdimësi në formë, në lojën tonë që e kemi bërë deri tani, të rrisim aftësitë individuale e kolektive dhe të vazhdojmë drejt suksesit.  Nëse edhe ndaj Maqedonisë luajmë sikur në fazën e grupeve besoj fuqishëm se do ta mposhtim edhe atë me lehtësi”, tha Sermaxhaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat