Incident në ndeshjen Bellasica-Renova, vendësit fitojnë me hile, sulmuan kapitenin Nuhiu

Futboll

Incident në ndeshjen Bellasica-Renova, vendësit fitojnë me hile, sulmuan kapitenin Nuhiu

Nga: Reshat Ibrahimi Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 12:35
Incident në ndeshjen Bellasica-Renova, vendësit fitojnë me hile, sulmuan kapitenin Nuhiu

Ndeshja ndërmjet Bellasicës dhe Renovës e zhvilluar në stadiumin “Mlladost” në Strumicë është shoqëruar me incidente. Nga Renova njoftojnë se kapiteni i skuadrës tetovare, Fisnik Nuhiu, është sulmuar pas përfundimit të ndeshjes nga njerëzit e sigurimit.

Vendësit kanë triumfuar me rezultat 3:1 dhe nga ky rezultat si dhe nga penalltia që iu dha arbitri i ndeshjes Stojcevski janë shprehur të mllefosur bardhekaltrit, të cilët kanë protestuar por kot.

Kapiteni i Renovës, Nuhiu, ka përshkruar situatën se si Bellasia shënoi gol për 2:1 në mënyrë të pandershme dhe se duhet të kërkojë falje publike Renovës.

“Renova nuk ankohet për penalltinë, që ishte e pastër, por për atë që ndodhi para saj. Bellasica duhet të kërkojë falje publike KF Renovës për gjestin josportiv. Para penalltisë të gjithë lojtarët e dy ekipeve u ndalëm, pasi Baldovaliev ishte i shtrirë në terren i lënduar, kurse mbrojtësi i djathtë Jordan Serafimovski e mori topin dhe u nis në drejtim të portës sonë, topi goditi Zukën në dorë, pas së cilës pasoi penalltia. E lutëm Baldovalievin të respektojë fair-play dhe ta huq penalltinë, por ajo nuk ndodhi. Renova humbi në mënyrë jo të ndersshme në Strumicë”, është reagimi i Nuhiut.

Kujtojmë se Renova në pjesën e dytë luajti pa Mishkovskin, i cili shënoi golin për Renovën për barazim të rezultatit në 1:1. Golat për vendësit i shënuan Ivanovski, Baldovaliev (penallti) dhe Georgiev.

Pas javës së 15-të, Renova zë vendin e pestë me 19 pikë, kurse Bellasica e teta me 17 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat