Drenica la duarbosh ’89-shin, Ferizaj baras me Prishtinën

Futboll

Drenica la duarbosh ’89-shin, Ferizaj baras me Prishtinën

Nga: Kemajl Goca Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 15:24
Drenica la duarbosh ’89-shin

Drenica nga Skenderaj fiton tri pikë të rëndësishme. Skuadra nga Skenderaj i shkaktoi humbje me rezultat 3:0 Trepçës ’89 nga Mitrovica, në ndeshjen e javës së 16-të të elitës së futbollit të Kosovës. Drenicasit arkëtuan tri pikë të mëdha, me synime që të ngjiten sa më lartë, kurse për mitrovicasit është humbje e rëndë dhe që ia përkeqëson renditjen në tabelë.

Në minutën e 15-të, Arsen Sykaj kaloi në epërsi vendasit, kurse Edon Pasoma thellon eprësinë në 2:0 pas gabimit trashanik të portierit Arben Beqiri. Dhe në minutën e fundit Muharrem Musa thellon fitoren në 3:0. Mitrovicasit kthehen duarbosh nga stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj. Drenica renditet në vend të shtatë me 21 pikë, ka dy më shumë se ’89-shi që është një pozitë më poshtë. 

Ferizaj para shikuesve të vet u nda baras me rezultat 0:0 me liderin Prishtina. Kryetrajneri Afrim Tovërlani me djelmoshat e tij ia doli ta ndalë një pikë të madhe ndaj Prishtinës favorite. Për Ferizajn është pikë e madhe në luftë për ekzistencë, kurse Prishtina me gjithë përpjekjet mbetet e kënaqur me një pikë. Prishtina kryeson me 37 pikë, kurse Ferizaj është i parafundit (i 11-ti) me 15 pikë. Është hera e dytë gjatë këtij edicioni që këto skuadra mes vete luajnë me rezultat të bardhë (0:0).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat