Ibra tregon si u detyrua të largohej nga Milani dhe shanset e rikthimit

Futboll

Ibra tregon si u detyrua të largohej nga Milani dhe shanset e rikthimit

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 16:01
Zlatan Ibrahimoviç

Zlatan Ibrahimoviç dhe Milani: një “martesë” e ndërprerë gjashtë vite më parë, kundër vullnetit të kampionit suedez. Sulmuesi tani mund të kthehet për ta riveshur fanellën kuqezi. Deklaratat e tij të fundit lënë më shumë se një shpresë për tifozët e “Djallit”.

Në një intervistë me “Vanity Fair”, Ibrahimovic konfirmon dashurinë e tij për Milanin: “Ka interes, por unë do të jem edhe një vit tjetër këtu në Los Angeles. Që më pëlqen Milani, ky nuk është sekret. Kam kaluar dy vite shumë të bukura aty dhe nuk doja të largohesha, por, siç e kam treguar në librin tim, jam “detyruar” për të shkuar në Paris.

Ne fituam, isha golashënuesi më i mirë, një klub i madh, por u bë ajo që bë. Ajo ishte “garda e vjetër”. Lojtarë të pabesueshëm. Unë kam qenë me fat, që të luaj dhe të fitoj me atë Milan”.

Seria A e ka hipnotizuar gjithmonë Ibrën, i cili tani mund të vendosë t’i ngrohë sërish tifozët në “San Siro”: “Unë e di se çfarë do të thotë të fitosh në Itali. Eshtë çdo gjë për një futbollist. Unë kam pasur sukses me tri klubet më të mëdha në Itali: Juventus, Milan dhe Inter. Të tria klubet më kanë trajtuar mirë. Jam kthyer nga Barcelona plot me trishtim, por në Milano gjeta përsëri buzëqeshjen time”.

Te Milani mund të gjejë mikun e tij të madh, Gattuso, në stol: “Ishte një lojtar i madh, po sillet i tillë edhe si trajner. Kur ju fitoni me njerëz si ai, do të thotë se bëni gjithçka me zemër. Është e mrekullueshme të punosh me të. Me këtë nuk po them se do të kthehem. Ne do të shohim…”

Përvoja e tij te Barcelona nuk ka shkuar siç pritej: “Gjashtë muajt e parë shkuan shumë mirë, pastaj gjithçka ndryshoi për keq. Në librin tim kam shkruar: Guardiola kishte një problem me mua, vetëm se nuk më përballonte siç isha. Me qëndrimin e tij arriti të vërë në dyshim aftësitë e mia”.

Në të ardhmen, Zlatanin mund ta shohim edhe në kinema: “Më bën shumë kurioz. Pas shumë vitesh në futboll, mund të vihem para një kamere edhe për tjetër gjë. Më pëlqen kinemaja, jetoj në qytetin e kinemasë, ndaj do të doja ta provoja. E rëndësishme nuk është pamja, në këtë rast…”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat