Lladrovci: ‘Nikli’ çdoherë lufton për tituj

Futboll

Lladrovci: ‘Nikli’ çdoherë lufton për tituj

Nga: Kemajl Goca Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 17:57
Lapidar Lladrovci

Pika e fituar në Gjilan për Feronikelin nga Drenasi është shumë më rëndësi. Feronikeli është në vend të dytë me 36 pikë, e mban në presion liderin Prishtina që ka 37 pikë, kurse Llapi renditet në vend të tretë me 32 pas 16 jave në elitën e futbollit të Kosovës. Prishtina dhe Feronikeli përcillen në hap nga Llapi dhe këto tri skuadra janë në luftë të ashpër për titullin e kampionit! Kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci, autor i golit për skuadrën e tij në Gjilan, vlerëson barazimim në Gjilan, duke thënë se nuk është rezultat i keq.     

“Bota sot”: Feronikeli fitoi një pikë nga Gjilani në duel me kampionin Dritën, a mendoni se e ka vlerën e fitores?

Lapidar Lladrovci: Të luash barazim ndaj Dritës në Gjilan nuk është rezultat i keq për ne, ani pse me një fitore mund ta rrëmbenim pozitën e parë, mirëpo e rëndësishme është që jemi vetëm një pikë pas Prishtinës dhe me një gabim eventual të tyre mund të kthehemi në krye të tabelës.

“Bota sot”: Prishtina dhe Feronikeli janë shkëputur në kreun e tabelës, sipas jush, a janë të vetmit në luftë për titull apo pritet edhe ndonjë tjetër të futet në garë?

Lapidar Lladrovci: Përveç neve dhe Prishtinës, mendoj që edhe Llapi ka gjasa për titull, pasi që është 5 pikë afër Prishtinës dhe ka gjasa reale derisa matematika ia lejon.

“Bota sot”: A e ka Feronikeli presionin e Prishtinës?

Image

Lapidar Lladrovci: Jo, mendoj që presioni më i madh është kur je në vend të parë sepse e din se me një gabim bien nga kreu dhe duhet të fitosh çdo ndeshje që ta mbash kreun.

“Bota sot”: A janë pikë reale të Feronikelit apo është dëmtuar në disa takime?

Lapidar Lladrovci: Mendimi im është që në bazë të lojës kemi edhe rezultatet, nuk është që jemi dëmtuar në ndonjë takim dhe shpresoj që deri në fund gjyqtarët të mos ndikojnë në rezultatet e asnjë ekipi.

“Bota sot”: Çka e veçon Feronikelin nga rivalët tjerë?

Lapidar Lladrovci: Mendoj që Feronikeli është skuadër shumë e organizuar e cila i ka kushtet përfekte si në aspektin financiar ashtu dhe në atë infrastrukturor, që e bën të veçohet nga skuadrat tjera. Çdo lojtar qe e vesh fanellën e ‘Niklit’ e kupton që ‘Nikli’ është klub i madh sepse çdoherë lufton për tituj dhe në vitet e fundit e kemi treguar që jemi ndër skuadrat me cilësore në vend.

“Bota sot”: Një kohë keni luajtur në Kampionatin Shqiptar përkatësisht në KF Kukësi, a është futbolli i Kosovës me cilësi i përafërt me atë shqiptar?

Lapidar Lladrovci: Kampionati Shqiptar me cilësi është me lartë se ne, ngase klubet të cilat e synojnë kreun kanë buxhet dyfish apo trefish më të madh se te ne dhe kanë mundësi që të sjellin lojtarë me emra të cilët e bëjnë dallimin, por ne jemi në rrugë të mbarë dhe dita ditës edhe te ne ka përmirësim të kushteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat