Prishtina sfidohet në Drenicë

Futboll

Prishtina sfidohet në Drenicë

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 12:19
Pamje nga një ndeshje

Drenica dhe Prishtina sot nga ora 12:30 zhvillojnë duelin e 16-së së finales së Kupës së Kosovës. Prishtina, 6-herë fituese, mbron trofeun e Kupës fituar kundër Vëllaznimit në edicionin e fundit. Prishtina në pesë vitet e fundit ka fituar tre herë Kupën, më 2012/13, 2015/16 dhe 2017/18, ndërkohë ka fituar edhe tre herë tjera, më 2005/06, 1994/95 dhe 1993/94 dhe është skuadra me më së shumti trofe të fituar në kompeticionin e dytë më rëndësishëm në vend. 

Dueli i këtij raundi është eliminues, pra zhvillohet vetëm një ndeshje, ndërsa nëse 90-minuta përfundojnë baras, luhet vazhdimet dhe eventualisht penalltitë. Shorti i 1/8 së finales hedhet të premten, ndeshja e atij raundi zhvillohet më 8/9 dhjetor.

Prishtina dhe Drenica sivjet do të zhvillojnë duelin e 3-të, dy të parat kampionale kanë fituar bardhekaltrit me rezultat identik 1:0.

Prishtina dhe Drenica vetëm njëherë janë takuar për Kupë nga 50 ndeshje zyrtare të pasluftës. Ishin ndeshur në finale të vitit 2006 – kishte triumfuar Prishtinas pas penalltive meqë ndeshja e rregullt ishte mbyllur 1-1.

Përderisa Drenica të premten ka arritur fitoren e parë (Trepça ’89 3-0) pas 4 humbjesh rresht, Prishtina nuk din për humbje në 9 ndeshje rresht (8 fitore e 1 barazim) dhe nuk ka pësuar gol 7 ndeshje rresht.

Korenica: Duhet të japim maksimumin – Prishtina lufton në dy fronte

“Normalisht tani më duhet harruar ndeshjen me Ferizajn, mbetëm aty ku jemi – në vendin e parë dhe tash duhet menduar dhe i tërë përqendrimi ynë është te ndeshja e vështirë, por e çmuar, për Kupë. Është vetëm një ndeshje, duhet të japim maksimumin, sepse Prishtina si gjithmonë lufton në dy fronte. Shpresoj të japim më të mirën dhe të marrim kualifikim për tutje”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat