Kushte të reja edhe për trajnerin Panucci

Futboll

Kushte të reja edhe për trajnerin Panucci

Më: 27 nëntor 2018 Në ora: 12:53
Kushte të reja edhe për trajnerin Panucci

Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, ka zbuluar më shumë detaje mbi mënyrën vertikale të funksionimit të ekipeve kombëtare. Sot u prezantuan edhe trajnerët e kombëtareve të moshave, ndërkohë që kushte të reja ka edhe për Christian Panuccin. Sektori i ekipeve kombëtare, që ka në krye Dzemal Mustedanagic, do të ngrejë së shpejti edhe kombëtaret U-16, U-18 dhe U-20.

Mbetet për t’u parë nëse ato do të drejtohen nga trajnerët aktualë të moshave më të afërta, apo do të caktohen drejtues të tjerë. Të gjithë trajnerët do të jenë “full time”, gjë e cila duket se ka penalizuar deri diku Erjon Bogdanin, që jeton në Itali dhe nuk mund t’i shihte vazhdimisht lojtarët në Shqipëri dhe të merrte pjesë në mbledhjet e rregullta, që do të organizohen çdo javë në FSHF.

Ilir Shulku ka zbuluar se rregulla strikte do të ketë edhe për trajnerin e kombëtares së madhe, Panucci, i cili u rikonfirmuar në detyrë së fundi nga presidenti Armand Duka. Ai e ka me detyrim të jetë i pranishëm në mbledhjet e përjavshme të stafeve teknike, bashkë me kolegët e tjerë kuqezinj.

“Do të ketë mbledhje të sektorit teknik dhe trajnerëve të kombëtareve. Çdo të hënë do të ketë mbledhje të tilla. Pjesë e tyre, në ato më të rëndësishmet, do të jetë edhe trajneri Panucci. Ai nuk duhet të mungojë jo vetëm në mbledhje, por edhe në seleksionime. Ai do të jetë në mbledhjet që do të jenë e nevojshme, sikurse edhe në seleksionime, kur të vendosë drejtori Mustedanagic. Programin e punës e bën drejtori, të tjerët janë të detyruar ta zbatojnë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat