Icardi tregon prapaskenat e ofertës së Juventusit, i “tronditur” nga Ronaldo

Futboll

Icardi tregon prapaskenat e ofertës së Juventusit, i “tronditur” nga Ronaldo

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 12:49
Mauro Icardi

Mauro Icardi, në një intervistë të gjatë për “Corriere dello Sport”, nuk e mohon faktin se në verë, bardhezinjtë kanë lëvizur seriozisht, me disa hapa, për ta marrë atë nga Interi. Natyrisht, para blerjes së Cristiano Ronaldos.

“Juventusi? Diçka kam dëgjuar. Por, disa gjëra jam i fundit që mund t’i di. Personalisht kam vetëm një interes, për të bërë punën time sa më mirë në fushë. Ju duhet të pyesni Wanda dhe Piero. Ronaldo? Ardhja e tij ka tronditur vetë kampionatin (Seria A). Vetëm një klub si Juventusi mund ta përballonte blerjen e tij në Itali”, – pranon Icardi.

Megjithatë, kapiteni i zikaltërve siguron: “Unë i kam bërë gjithmonë të qarta qëllimet e mia: të luaj në Ligën e Kampionëve me Interin, gjë që e kam arritur, dhe të fitojë diçka me fanellën zikaltër”.

Merkato, me pak fjalë, është i fundit në mendimet e Icardit, pavarësisht interesimeve të tilla të pretenduara edhe nga Real Madridi: “Unë nuk mendoj se kjo është koha e duhur për të lëvizur, duke pasur parasysh rezultatet. Dhe pastaj, ndihem mjaft mirë aty ku jam”.

Njeriu që kujdeset për interesat e Icardit në merkato është i njohur. Bëhet fjalë për gruan e tij, Wanda Nara: “Wanda e di atë që bën dhe më tregon për interesimet që ka nga klube të tjera. Ajo është bërë pjesë e TV, mban kontaktet me gazetarët. Në fakt, ajo ka pëlqyer gjithmonë modën. Wanda është e zgjuar, nuk ka nevojë për kontroll, i besoj plotësisht”.

Së fundi, për ata që kërkojnë më shumë pjesëmarrje të tij në lojë, Icardi ka këtë përgjigje: “Në këtë sport numërohen golat, ndoshta më shumë se kundërshtarët. Ju flisni shumë shpesh për pjesëmarrjen time në lojë, e cila për disa është e pakët, por nuk më intereson asgjë, se çfarë thonë gazetarët dhe kritikët.

Unë di vetëm një mënyrë për t’i ndihmuar shokët e ekipit dhe trajnerin, duke shënuar gola. Kam jetuar gjithmonë për golin. Unë e kam aftësinë për t’i shënuar ato, e kam treguar tashmë këtë. Këtu, ky është misioni im. Kam qenë te Sampdoria një vit, pastaj tek Inter për gjashtë vite. Kam shënuar më shumë se 100 gola. Nëse dikush nuk i sheh këto gjëra, le të bëjë durim”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat