Humbi kontratën e jetës futbollisti i Kosovës

Futboll

Humbi kontratën e jetës futbollisti i Kosovës

Më: 1 dhjetor 2018 Në ora: 13:25
Musolli

Prishja e kontratës së Besar Musollit me skuadrën e Kukësit ishte një nga çështjet e ditës në Superioren shqiptare. Mesfushori emblemë i skuadrës verilindore u largua nga klubi për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në ligament. Pas 7 sezonesh, kosovari u largua si të ishte një lojtar mediokër ose si një dështim merkatoje. E gjithë historia e tij e shkruar me gërma të arta në të gjithë trofetë e ngritur në Shqipëri u fshi me një të rënë të gomës.

Telesport u mundua të zbulonte më shumë në lidhje me çështjen dhe nxori në dritë një prapaskenë interesante merkatoje. 29-vjeçari kishte në duar kontratën e jetës në verë. Ekipi i interesuar ishte nga Emiratat e Bashkuara Arabe, kushte fantastike për një lojtar shqiptar. Musolli mori një ofertë prej 20 mijë eurosh në muaj, shtëpi dhe makinë. Ish-lojtari i verilindorëve ishte i gatshëm të largohej dhe të pranonte kushtet, por problem u bë skuadra e Kukësit.

Ekipi verilindor po luante në Champions League dhe biseda ndërmjet drejtorit sportiv Nderim Nexhipi dhe agjentit që po mundohej të bënte lëvizjen nuk shkoi ashtu si duhet. Arabët ishin të gatshëm të paguanin pak dhe për transferimin e kosovarit, pavarësisht se kontrata e tij mbaronte pas kupave të europës, por gjuha e përbashkët ndërmjet tyre dhe drejtuesve të verilindorëve nuk u gjet. Bisedimet nuk mund të shtyheshin, pasi afati i kthimit të përgjigjes ishte vetëm 1 ditë. Musolli e pranoi kokëulur vendimin e klubit dhe nënshkroi kontratën e re. Padyshim pengu më i madh i karrierës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat