Gjici: Duam të fitojmë titullin - Bota Sot
Gjici: Duam të fitojmë titullin

Futboll

Gjici: Duam të fitojmë titullin

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 18:47
Gjici: Duam të fitojmë titullin

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, e sheh skuadrën e tij pretendente për të fituar titullin, paçka se për momentin Partizani është shkëputur disi. Dje në një intervistë për “SuperSport”, Gjicifoli për të gjitha temat në klubin verilindor. Ai sqaron çështjen e stadiumit në Kukës dhe synimet për merkaton e janarit.

“Unë besoj se ky kampionat është më i forti nga të gjithë vitet e tjera. Më përpara kanë qenë 3-4 ekipet e para që e bënin luftën, ndërsa sivjet janë të gjitha të forta. Rasti i freskët është kur ekipi i vendit të fundit, Kastrioti, mundi Flamurtarin. Edhe ne me Gjirokastrën fituam me vështirësi, apo edhe me Kamzën. Ju e dini objektivin tonë, është vetëm titulli kampion”, theksoi Gjici.

“Kryeministri Rama, në mbledhjen e qeverisë që pati në Kukës, e shpalli vendimin për të bërë stadiumin e ri. 50% qeveria dhe 50% federata. Kam kontaktuar në federatë dhe është mbyllur procedura e tenderit të projektimit. Është në fazat e mbylljes edhe procedura e tenderit të zbatimit. Unë besoj se nga fundi i dhjetorit do fillojë prishja te stadiumi aktual. Besoj fort se me kompaninë që do fitojë tenderin e zbatimit, ta mbyllim punën brenda 6 muajve të parë të vitit tjetër”, sqaroi presidenti i Kukësit për stadiumin.

“Tashmë kemi bërë një marrëveshje me Kamzën dhe ndeshjet brenda do t’i luajmë aty. Tifozët kuksianë nuk kanë pasur mundësi që ta ndjekin Kukësin kudo dhe ne po bëjmë përpjekje që t’ua çojmë Kukësin aty ku janë më afër. Në Kamzë vijnë e shikojnë ndeshjen edhe nga Kukësi, nuk kanë pse futen në Tiranë në atë trafik”.

“Skënderbeu ka stofin e vet, duhet vlerësuar maksimalisht. Nuk është Skënderbeu i viteve që kemi luftuar denjësisht për kampion, por gjithsesi mbetet i fortë. Pa diskutim që tifozët e kuptojnë që është një ndeshje e rëndësishme dhe duhet ta mbështesin ekipin e zemrës. Them se ndeshja do jetë e fortë, por besoj shumë te stafi dhe ekipi që ta fitojmë”, deklaroi kreu i klubit.

MERKATO – “Ndreu dhe Nexhipi po mundohen të gjejnë lojtarë, jo shumë, sepse kemi kufizime tani në janar. Por, 2-3 lojtarë të rëndësishëm, qoftë edhe 4 që të bëjnë diferencën. Ne jemi gati që t’ia plotësojmë kërkesat Cungut, në mënyrë që ekipi të forcohet, sepse kampionati çdo javë e më shumë sa vjen e forcohet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...