Bota në këmbë për derbin e çmendur

Futboll

Bota në këmbë për derbin e çmendur

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 14:23
Tifozët

Akti i dytë dhe i fundit i finales së Copa Libertdores mes River Plate dhe Boca Juniors po troket. Pas rrëmujës së shkaktuar nga tifozët e “millonarios”, të cilët sulmuan autobusin e ekipit kundërshtar vetëm pak orë para se të zhvillohej ndeshja e kthimit në “Monumental”, më 24 nëntor (takimi u shty), dy ekipet rivale të përjetshme të kryeqytetit argjentinas do të zbresin të dielën në “Santiago Bernabeu” në një duel të ethshëm, që do të përcaktojë fituesin e trofeut, teksa përballja e parë në “Bombonera” përfundoi në barazim 2-2.

River Plate dhe Boca Juniors zbarkuan në Madrid të mërkurën, “Xeneizes” pasdite, ndërsa “millonarios” pak para mesnatës. River Plate do t’i zhvillojë seancat e fundit stërvitore në Valdebebas, qendrën stërvitore të Realit, ndërsa Boca Juniors në qendrën sportive të Federatës Spanjolle të Futbollit, në Las Rozas.

Deri të dielën, kryeqyteti i Spanjës, Madridi, do të jetë i blinduar nga forcat e rendit, për të shmangur përplasjet e mundshme mes tifozërive, që të mos përsëritet ajo që ndodhi në Buenos Aires. Pak orë pas nisjes së Bocas drejt Spanjës, stadiumi “Bombonera” u evakuua pas një alarmi për bombë, që rezultoi i rremë.

Autoritet spanjolle kanë kthyer mbrapsht Maxi Mazzarro, një nga udhëheqësit kryesorë të grupit famëkeq ultras “Barrabravas”, duke e bllokuar sapo zbarkoi në aeroportin “Barajas”. Gjatë orëve në vazhdim pritet të mbërrijnë në Spanjë edhe Rafa Di Zeo dhe Mauro Martin, dy liderët e tjerë të ashtuquajturit grupi “12”, të cilët janë pajisur me vizë, pavarësisht vendimit për të mos i lejuar që të hyjnë në “Santiago Bernabeu”. Është rritur në Madrid niveli i alarmit, pas lajmit për binjakëzimin e utrasve të River Plate me ata të Rayo Vallecanos (Los Bukaneros). Në Buenos Aires, ndërkohë, vijojnë arrestimet në lidhje me incidentet e 24 nëntorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat