Spalletti pranon supremacinë e Juventusit: Ja ku dallon nga ekipet e tjera - Bota Sot
Spalletti pranon supremacinë e Juventusit: Ja ku dallon nga ekipet e tjera

Futboll

Spalletti pranon supremacinë e Juventusit: Ja ku dallon nga ekipet e tjera

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 14:38
Luciano Spalletti

Transferta e tretë radhazi për Interin. Pas disfatës në “Wembley” me Tottenham dhe barazimit në “Olimpico” me Romën, zikaltrit do të udhëtojnë drejt Torinos. Atje do të sfidojnë Juventusin, në kuadrin e javës së 15-të të Seria A.

Luciano Spalletti, në konferencën e zakonshme për shtyp, para kësaj ndeshjeje, shpjegoi: “Kam në dispozicion një ekip, që mendoj se është në rritje. Kemi zhvilluar ndeshje të mira. Kjo ndaj Juventusit, a do të jetë një provë e rëndësishme për Interin? Ne luajmë shumë ndeshje gjatë gjithë sezonit.

Duhet t’i marrim gjërat hap pas hapi. Nëse hidhni si duhet hapin e parë, atëherë hapi i ardhshëm do të jetë i mirë. Është shuma e hapave të tillë, që më pas do të na japë vendin e duhur. Ne duhet të kemi bindjen se jemi aq të fortë, sa të qëndrojmë në rrugën tonë. Juventusi është një ekip shumë i fortë.

Çdo vit, bardhezinjtë marrin lojtarë, të cilët mund të bëjnë edhe më shumë ndryshimin në krahasim me kampionatin e mëparshëm. Tri vite më parë, kur isha në Romë, arritën të na merrnin Pjanic, i cili ishte lojtari më i fortë që kishim. Vitin e kaluar kishim Cancelo, një nga më të mirët në Seria A, edhe atë na e morën.

Po ashtu, i morën Napolit një lojtar si Higuain. Këto janë gjëra të rëndësishme për rritjen e një ekipi. Këtë vit ata morën edhe Ronaldon, çka është e barazvlefshme me një hap të mëtejshëm përpara. Ky është dallimi mes Juventusit dhe ekipeve të tjera.

Gjendja në ekipin tonë? Ne nuk do të kemi Nainggolan dhe Dalbert, të dy do të qëndrojnë në shtëpi. Ata nuk mund të luajnë. Testet e fundit mjekësore thonë se janë përmirësuar, por ata do të kenë nevojë për më shumë kohë riaftësimi.

Mbrëmjen e së premtes do të jetë e para Juventus-Inter për Cristiano Ronaldon? Ne duhet të themi se, së pari, Juventusi nuk është vetëm Ronaldo. Bardhezinjtë kanë lojtarë të tjerë fenomenalë, si Chiellini etj. Megjithatë, edhe Interi ka lojtarë të fortë. Në çdo rast, vlera jonë themelore është kolektivi. Kur vareni nga një lojtar, nuk mund të shkoni kudo.

Eshtë skuadra, ajo që ka rëndësi. Ndeshjet si këto janë prova force. Juventusi është shumë i fortë, ka një mentalitet mbresëlënës. Duhet të jemi në nivelin e tij, duke zhvilluar lojën tonë, pa menduar për lëvizjet e kundërshtarit. Ka disa pika ndarjeje mes dy ekipeve, çka mund ta pohoj.

Ne mund ta vendosim Juventusin në vështirësi, duke qenë ekip i bashkuar për 90 minuta. Duhet të jemi të shkurtër në fushë dhe të ngushtojmë hapësirat. Bardhezinjtë kanë fituar dominimin ndaj kundërshtarit, por, gjithashtu, dinë se si të vuajnë. Qëndrimi i tyre nuk ndryshon kurrë. Interi do të ketë nevojë për guxim dhe personalitet”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test