Ronaldo: Mos me krahasoni me Ronaldon

Futboll

Ronaldo: Mos me krahasoni me Ronaldon

Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 15:33
Ronaldo: Mos me krahasoni me Ronaldon

Identiteti i “Ronaldos së vërtetë” nuk është një argument, për të cilin ish-sulmuesi brazilian dëshiron të ketë primatin. Fituesi i Kupës së Botës pretendon se ai është “kaq i ndryshëm” nga Cristiano Ronaldo.

Ky duet është bërë sinonim i suksesit gjatë viteve në futboll, me dy figura ikonike, që kanë mbajtur të njëjtin (mbi)emër në shpinën e tyre.

Gjatë fundit të viteve ’90 dhe në fillim të shekullit të 21-të, një sulmues i frikshëm doli në skenë, që fitoi dy medalje të Kupës së Botës. Një karrierë për t’u patur zili nga cilido për çka dha në fushën e blertë dhe çfarë fitoi në nivel klubi e kombëtareje.

Ndërsa fuqitë e “Fenomenit” filluan të zbeheshin, një tjetër Ronaldo u rrit dhe e vuri veten në rrugën e rekordeve të panumërta, me pesë kurora të Ligës së Kampionëve dhe pesë “Topa të Artë”, ndër të tjera. Ky i fundit tani është në radhët e Juventusit.

Duke luajtur më parë me Manchester United dhe Real Madridin, portugezi është konsideruar si një nga lojtarët dhe golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave. Ronaldo “origjinal”, megjithatë, heziton të tërhiqet nga krahasimet midis dy sulmuesve legjendarë, duke i thënë “Gazzetta dello Sport”, kur u pyet për “etiketën reale”: “Është diçka, që më ka kënaqur gjithmonë, por nuk ka kuptim. Ne jemi kaq të ndryshëm. Mos më krahasoni mua dhe atë”.

I pyetur nga mediat për të vënë në dukje dallimet kryesore midis të dyve, ish-sulmuesi i Barcelonës, Interit dhe Real Madridit, tha: “Mosha, mbi çdo gjë tjetër. Nëntë vite ndryshime, vite të ndryshme në të cilat kemi luajtur. Futbolli ka ndryshuar kaq shumë kohët e fundit, po ndryshon edhe më shpejt.

Nuk dua të them se koha ime ishte më e vështirë, por ne hasëm situata të ndryshme dhe me skuadra të ndryshme. Ndikimi brenda kampionatit italian është, gjithashtu, i ndryshëm. Isha 20 vjeç, teksa i kisha arritur disa gjëra te PSV dhe Barcelona, por jo shumë, sigurisht jo gjithçka. Isha ende projekt i një kampioni, ose të paktën u ndjeva kështu. Cristiano arriti në Itali në moshën 33-vjeçare, në kulmin e pjekurisë së tij si lojtar”.

Ndërsa, duke parë dallime të theksuara mes tij dhe një yllit të Juves, “Fenomeni” pranon se të dy mburren me të njëjtin oreks të pangopur për golat. Ai shtoi, përpara përplasjes së mbrëmjes së sotme në Serie A, mes bardhezinjve dhe Interit: “Do të thosha se jemi të ndryshëm në role, edhe nëse tani Cristiano gjendet më pranë golit. Ndoshta në të kaluarën, një asist na ngrohte aq shumë, sa një gol. Tani, nuk mendoj se ndodh kështu. Në dëshirën për gola, ne të dy jemi të barabartë, po”.

Ronaldo e përfundoi karrierën e tij duke shënuar 352 gola në nivel klubi dhe 62 gola në 98 ndeshjet me Brazilin. Adashi i tij luzitan ka tashmë 85 gola me Portugalinë, në 154 ndeshje të luajtura, si dhe 584 gola me skuadrat që ka përfaqësuar në rang klubi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat