Karahoda: Nuk kemi çka kursejmë

Futboll

Karahoda: Nuk kemi çka kursejmë

Nga: Kemajl Goca Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 19:06
FC Liria

Ndeshjet e Kupës së Kosovës priten me kërshëri të madhe nga tifozët me të zjarrtë të lojës më të popullarizuar në botë, sidomos ajo në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, mes rivalëve të vjetër Lirisë dhe Prishtinës. Te dyja skuadrat synojnë të avancojnë në rrethin tjetër, ndërsa prizrenasit e shohin si përparësi terrenin vendas, kurse Prishtina pretendon se ka cilësinë në anën e saj. Përballja e rivalëve të vjetër që luhet nesër në orën 12.30, si gjithmonë sjellë numër të madh të shikuesve në tribuna, por edhe rivaliteti ka qenë i nxehtë në fushë në aspektin sportiv dhe shumë herë nuk është ditur fituesi deri në sekondat e fundit. Sulmuesi i Lirisë, Fatih Karahoda, tha se është një sfidë e vështirë, por shpreson në kualifikim. 

“Ka me qenë ndeshje shumë e fortë, pasi që është ndeshje për Kupë dhe është vetëm një lojë, për këtë arsye të dy ekipet nuk kemi çka kursejmë nga vetja për me arritur deri te rezultati. Përparësia e Lirisë gjithmonë është fusha vendase, kemi një terren ku shumica e ekipeve të Superligës kanë problem të përshtaten, por në ndeshjen me Prishtinën besoj që kemi me pas përkrahje edhe nga tifozët ‘Arpagjikët’, të cilët do të jenë një shtytje për ekipin tonë drejt fitores”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Karahoda.  A jeni komplet dhe në presion të ndeshjes? “Nuk jemi komplet, pasi që mungon Liridon Fetahaj i cili është huazim nga Prishtina dhe nuk ka të drejt loje.

Presion nuk kemi aq shumë sepse krejt javën kemi punuar për këtë ndeshje qofte taktikisht qoftë psikikisht. Po nëse eliminojmë Prishtinën, atëherë na rriten ambiciet sepse i bie që kemi eliminuar favoritin e Kupës. Shpresoj të jetë një kopje e sezonit 2009-2010, ku në të njëjtin xhiro të Kupës e kemi eliminuar Prishtinën dhe tani kemi fituar Kupën”, tha Karahoda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat