Boca dhe Riveri gati për spektakël në Bernabeu

Futboll

Boca dhe Riveri gati për spektakël në Bernabeu

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 08:36
River Plate-Boca Juniors

Një finale e shtyrë, përplasje, trazira, futbollistë të dëmtuar, por tashmë shpresohet se gjithçka do të jetë gati për të vendosur se kush do të jetë kapioni i Copa Libertadores.

River Plate-Boca Juniors është një nga ndeshjet më të zjarrta në planet dhe për herë të parë do të luhet jashtë Buenos Airesit. “Santiago Bernabeu” në Madrid është gati të mirëpresë këtë supersfidë, me tifozët anembanë botës që do t’i ngulin sytë drejt dy ekipeve më të përfolura javët e fundit.

Pas shumë diskutimeve, ku njerëz nga e gjithë bota kanë kontestuar vendimin e zhvillimit të finales jashtë Buenos Aires, spektakli pritet të jetë i garantuar. “Millonarios” dhe “Xeneizes” do të kërkojnë të ngrejnë lart trofeun e Copa Libertadores, ndoshta më të rëndësishmin vitet e fundit, për shkak edhe të rivalitetit të zjarrtë mes dy prej klubeve më armike të Amerikës Latine.

Takimi i parë në “Bombonera” u mbyll në barazim 2-2, ku për Bocan shënuan Abila dhe Benedetto, ndërkohë River barazoi dy herë rezultatin me anë të Prattos dhe një autogol të Izquierdoz. Pritshmëritë janë të mëdha. Pavarësisht rezultatit të parë, në të tilla ndeshje nuk ka asnjëherë një favorit kryesor. “Superclasico” në Argjentinë është më shumë se një ndeshje futbolli, është ndeshja e një jete. Dhe kur është finale, vlen akoma më shumë se aq. Emocionet janë të garantuara dhe gjithë tifozëve të futbollit në mbarë botën i mbetet për të shijuar këtë supersfidë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat