Valon Ahmedi dhuron spektakël në Izrael, asiston dy herë për Shmonan

Futboll

Valon Ahmedi dhuron spektakël në Izrael, asiston dy herë për Shmonan

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 10:50
Valon Ahmedi

Valon Ahmedi vazhdon të surprizojë me paraqitjen e tij na kampionatin izraelit të futbollit. Futbollisti i kombëtares shqiptare, që në merkaton e verës u transferua te Kiryat Shmona në Izrael, ka qenë sërish protagonist në barazimin 2-2 të skuadrës së tij në transfertën e Maccabi Haifa. Ahmedi është autori i dy asisteve në të dy golat e Kiryat Shmona, dhe të dy erdhën nga goditjet e këndit. Në minutën e 25 të takimit, miqtë fitojnë një goditje këndi, i cila i besohet Valon Ahmedit për tu gjuajtur.

Shqiptari asiston në mënyrë perfekte shokun e skuadrës, Macillo, që me një të prerë perfekte shtang portierin e Maccabit. Më pas janë lojtarët e Maccabit që shënojnë, pas një gafe të portierit të Shmona, që nuk kontrollon si duhet topin. Vendasit do të shënojnë dhe golin e dytë në minutën 59, ndërsa për Shmona goli i barazimit do të vinte në minutën e 90, përsëri nga një goditje këndi. Gjuan sërish Valon Ahmedi, ndërkohë që portieri Bartkus i Shmonas afrohet në zonën kundërshtare.

Gjuajtja e mesfushorit të krahut të kombëtares shqiptare, përfundon në kokën e portierit të tij, që mposht rivalin dhe dërgon topin në rrjetë. Kështu vendoset barazimi në fushën e lojës, ndërsa më herët Valon Ahmedi mund të kishte gjetur dhe rrjetën nga një goditje dënimi, por fati nuk ishte me atë. Kjo është një tjetër paraqitje pozitive e futbollistit shqiptar, që tashmë synon rikthimin në kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat