Atlanta fiton titullin në MLS

Futboll

Atlanta fiton titullin në MLS

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 19:38
Atlanta fiton titullin në MLS

Vetëm një vit pas debutimit në Major League Soccer Atlanta United siguroi titullin e kampionatit të futbollit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Një histori sa e rrallë po aq edhe e bukur për ekipin nga Georgia, që drejtohet nga njëri prej dishepujve të Marcelo Bielsa-s, sic është pikërisht trajneri argjentinas Gerardo Martino. Pasi eliminoi me radhë kundërshtarët njujorkezë, City dhe Red Bull, Atlanta United mposhti në finalen e madhe të sezonit me nga një gol për cdo pjesë ekipin kampion të vitit 2015 Portland Timbers. Në takimin përmbyllës të vitit 2018 skuadra nga Georgia kishte privilegjin për të luajtur në shtëpi dhe në fakt “the five stripes” nuk zhgënjyen aspak, duke shfrytëzuar natyrisht edhe përvojën e madhe të 56-vjecarit nga Rosario.

Tata Martino sigurisht që ka një meritë të jashtëzakonshme te ky titull, pasi ka ditur të ndërtojë një formacion që luan shumë ndryshe nga skuadrat e tjera, pak a shumë si një ekip europian, me një kontigjent futbollistësh me eksperiencë kryesisht nga kontinenti i vjetër apo qoftë edhe nga kampionati argjentinas. Në Mercedes – Benz Stadium, përpara 73.000 spektatorëve vendasit zhbllokuan rezultatin vetëm gjashtë minuta para mbylljes së pjesës së parë, me anë të ish-sulmuesit të Torinos, Josef Martinez, që shfrytëzoi në maksimum një gabim në mbrojtje të ekipit nga Oregoni, sidoqoftë 25-vjecari i përfaqësueses së Venezuelës kontribuoi gjithashtu edhe në golin e dytë, me një asist me kokë në minutën e 54′ për mbrojtësin argjentinas të ardhur nga Newell’s Old Boys Franco Escobar, që nuk e pati shumë të vështirë për të shënuar vetëm dy hapa larg portës. Në vazhdim Atlanta United ia doli mbanë për të administruar pa shumë probleme rezultatin 2-0, për t’u bërë kështu ekipi i 13 i ndryshëm që arrin të fitojë trofeun në MLS.

Klubi nga Georgia ishte edhe ekipi më i mirë i sezonit të rregullt pas 33 javëve kampionat, megjithatë pikërisht në javën e fundit në “regular season” Atlanta u mund në Toronto, ndërsa Red Bulli mposhti në New York Orlandon, duke u shpallur në këtë mënyrë edhe skuadra më e mirë e fazës së parë të kampionatit në Major League Soccer. Një sukses i merituar gjithashtu edhe për një Qytet si Atlanta, me më pak se gjysmë milioni banorë, që deri tani krenohej vetëm me një trofe gjithsej, në plot 175 sezone të marrë së bashku, duke patur parasysh kontributin e franchise-ve të tillë si Atlanta Hawks në NBA, Falcons në NFL apo edhe Atlanta Braves, që në fakt janë edhe ekipi që fitoi titullin e vetëm në vitin 1995, në Major League Baseball. 23 vjet pritje për kryeqytetin e Georgia-s, që mbyllen kështu me një titull të çmendur, pikërisht në edicionin e 23 në MLS, ndërkaq goxha lehtësim në krahun tjetër edhe për vetë trajnerin Tata Martinon, që kishte marrë vulën e humbësit, në tre finalet e dështuara në Kupën e Amerikës së Jugut, dy herë me Argjentinën dhe një herë me Paraguajin, pa harruar aspak edhe disfatën me Barçën në finalen e Kupës së Mbretit përballë Realit, apo qoftë edhe titullin e humbur pikërisht në javën e fundit me ekipin blaugrana, brenda në Camp Nou me Atleticon e Simeones, sidoqoftë në fund pas këtij suksesi të paktën 56-vjecari argjentinas shpërblehet me detyrën e trajnerit të ri të përfaqësueses së Meksikës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat