Tirana “mbyt” veten në Laç - Bota Sot
Tirana “mbyt” veten në Laç

Futboll

Tirana “mbyt” veten në Laç

Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 16:39
Tirana “mbyt” veten në Laç

Laçi e ka mbyllur me festë vitin, për sa u përket ndeshjeve para tifozëve të saj, sepse ka mundur 2:1 Tiranën, në një betejë të vërtetë, luajtur mes baltës, pasi fusha në Laç nuk rezistoi gjatë, për shkak të shiut.

Ndeshja nisi shumë keq për bardheblutë, sepse në minutën e 14-të një rivënie anësore gjeti Xhixhën të vetëm në zonë, sulmuesi krosoi për Shtubinën dhe shkodrani ishte krejt i vetëm në zonë, duke shënuar qetësisht me kokë.

Një vendosje skandaloze e mbrojtjes së Tiranës, por nuk ishte rastësi. Në minutën e 25-të mbrojtësi Fangaj u nis nga mesfusha dhe u transformua në Maradona, duke shënuar një gol spektakolar, ku natyrisht Tirana bëri sehir.

Më pas, thuajse asgjë nga Tirana, me përjashtim të një traverse nga Blazhevski, me një gjuajtje nga një pozicion shumë i prirët, ndërkohë që Laçi shkonte me lehtësi të madhe në zonën kundërshtare.

Në pjesën e dytë Tirana ndryshoi fytyrë, edhe për faktin se trajneri Mema bëri ndryshime, duke larguar Dokën e Karabecin dhe duke aktivizuar Kërçikun e anglezin Ngo’o, i cili rezultoi mjaft i rëndësishëm, sepse fuqizoi ndjeshëm sulmin.

Laçi i tëri në mbrojtje për të administruar avantazhin dhe Tirana në sulm, duke humbur disa mundësi të shkëlqyera për gol, por edhe duke lënë hapësira për kundërsulmin laçian, që të paktën në një moment mund dhe duhej të kishte shënuar, duke parë gafat e vazhdueshme të mbrojtjes së Tiranës.

Pasi iu anulua një gol për pozicion të dyshimtë jashtë loje, në minutën e 73-të Ngo’o krijoi rrëmujë në zonën laçiane dhe pasoi për Grecën, i cili u ndal fillimisht nga portieri Selmani, por me portën të boshatisur Hasani shënoi, duke rihapur ndeshjen. Më pas presion i madh nga Tirana dhe në minutën e 82-të Selmani kreu një pritje fantastike nga Ngo’o, duke mbrojtur avantazhin laçian. Raste të tjera e presion, por asgjë më shumë dhe Laçi fluturon në renditje, ndërsa Tirana mbetet në errësirë dhe me shumë dilema për të ardhmen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...