Talenti shqiptar flet për debutimin emocionues në Anderlecht

Futboll

Talenti shqiptar flet për debutimin emocionues në Anderlecht

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 08:21
Kristal Abazaj

Datat 16 dhjetor do të shkruhet thellë në kujtesën e Kristal Abazaj. Futbollisti i talentuar, që verën e këtij viti u transferua në Belgjikë, bëri debutimin me skuadrën e Anderlecht.

U deshën të kalonin gati shtatë muaj, që Abazaj të gjente hapësirë në formacionin e skuadrës së parë të Anderlecht, me të cilën debutoi si zëvendësues në minutën e 69 të takimit kundër Brugge.

Edhe pse ekipi i tij e humbi atë ndeshje, gjë që solli dhe shkarkimin e trajnerit, Hein Vanhaezebrouck, Abazaj mori komplimente për paraqitjen e tij. 

Emocionet e sulmuesit të kombëtares shqiptare për debutimin me gjigantët belg kanë qenë të mëdha. Telesport kontaktoi me sulmuesin, duke e pyetur rreth atij momenti historik për të.

“Prisja me padurim debutimin tim dhe më në fund erdhi. Jam shumë i lumtur sepse e meritoja më shpejt, por ja që ndodhi tani pas gjithë kësaj kohe. Kam marrë shumë urime por më i veçanti që pata ishte nga shokët e ekipit. “Sa u fute ti, hoqën trajnerin”, më thanë shokët”-tregon Abazaj.

Ndërkohë sa i përket trajnerit të ri, sulmuesi i kombëtares shprehet se ende nuk është vendosur, por për momentin do të jetë zëvendësi i ish-trajnerit që do të drejtojë Anderlecht në dy ndeshjet e ardhshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat