Gattuso duket i dorëzuar

Futboll

Gattuso duket i dorëzuar

Më: 19 dhjetor 2018 Në ora: 12:37
Gattuso duket i dorëzuar

Pas eliminimit të turpshëm në Europa League, me humbjen e hidhur ndaj Olympiakos-it, pritej një reagim i fortë nga Milani, që pati edhe disa ditë kohë më shumë për të përgatitur sfidën ndaj Bologna-s së Pippo Inzaghi-t. Gjithçka e kotë, sepse në Dall'Ara përfundoi 0:0, një bardhësi dëshpëruese, sepse Milani ishte 0 në çdo drejtim, aq sa sidomos në pjesën e dytë dukej krejtësisht i pafuqishëm.

Në fund të ndeshjes trajneri Gennaro Gattuso ishte dukshëm nervoz dhe pranoi me sinqeritet se ishte një ndeshje tepër e dobët: "Mendoj se nuk bëmë asgjë me topin, zotërimi ishte pa vlerë. Interi luajti njësoj si ne këtu, por fitoi falë disa kombinimeve, Roma humbi dhe ne nuk gjetëm goditjen e duhur. Mund të vertikalizonim më shumë, por thjesht e gudulisëm kundërshtarin, duke mos shfrytëzuar as ato pak raste që patëm. Në aspektin e cilësisë luajtëm një ndeshje mediokre".

Çështje më vete është bërë edhe Patrick Cutrone, sepse sulmuesi doli i nervozuar nga fusha, kur kuptoi se po zëvendësohej. Gattuso komentoi: "Kemi luajtur shpesh me 4-3-3 dhe me atë sistem e mbushnim më mirë zonën kundërshtare. Tani po luajmë me 4-4-2, që shpesh është një sistem që lexohet lehtë nga kundërshtari. Reagimi i Cutrone-s? Është e pranueshme që kush zëvendësohet ndonjëherë reagon keq, por e rëndësishme është që të shihemi në sy dhe të mbyllet gjithçka aty. Natyrisht, këto ditë do flas me Patrick për t'u sqaruar. E ndërrova sepse mendoja se me Castillejo mund të krijonim epërsi edhe me driblime".

Në ndeshjen e radhës, kundër Fiorentina-s, do të mungojnë për pezullim dy lojtarë të rëndësishëm në mesfushë, Kessie e Bakayoko: "Të shohim ç'do bëjmë, janë mungesa të rëndësishme, por gjithsesi nuk nisemi të mundur. Inzaghi? I dhashë një shuplakë të fortë sepse e çmoj shumë, sa më fort të godas aq më shumë e vlerësoj atë që kam përballë. Çfarë i thamë njëri-tjetrit në vesh? 'Ç'na u desh ky zanat', me humor, sepse shokët tanë janë rehat në poste të tjera apo në televizion, por unë jam i kënaqur nga puna që bëj, edhe pse ndoshta të plak pak më shumë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat