Peja dhe Gjakova nxjerrin urdhëresa kundër vrasjes dhe keqtrajtimit të qenve

Gjakova

Peja dhe Gjakova nxjerrin urdhëresa kundër vrasjes dhe keqtrajtimit të qenve

Më: 23 janar 2019 Në ora: 11:55
Foto ilustrim

Komuna e Pejës dhe ajo e Gjakovës kanë nxjerrur urdhëresa që ndalojnë vrasjen dhe keqtrajtimin e kafshëve, përfshirë këtu edhe garat mes qenve.

Ndëshkimi për personat që e shkelin këtë urdhëresë, do të jetë gjobë deri në 5 mijë euro.

Në urdhëresën e nënshkruar nga kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, thuhet ndër të tjerash që Drejtoria për Inspektim do ta monitorojë zbatimin e kësaj urdhërese.

“Me këtë urdhëresë ndalohet vrasja, keqtrajtimi, eksperimentimi i kafshëve pa licensë, operimi kirurgjik me qëllim të modifikimit të dukjes së kafshës me të cilën largohet apo dëmtohet cila do pjesë e grupit, importimi dhe shitja e kafshëve agresive në kundërshtim me dispozitat e Ligjit, transportimi i kafshëve pa certifikatë, tregtimi i kafshëve në kundërshtim me dispozitat ligjore, organizimi i garave në të cilat testohet fuqia apo shpejtësia e kafshës, me ç ‘rast kafsha mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje”, thuhet ndër të tjerash në këtë vendim.

Një ditë më pas vendim të ngjashëm ka marrë edhe komuna e Gjakovës.

“Ndalohet të gjitha organizimet e garave të kafshëve në Komunën e Gjakovës në të cilat testohet shpejtësia apo fuqia e kafshës ndërmjet tyre ku (kafsha) mund të pësojë dhembje, lëndime apo ngordhje”, thuhet në vendimin e komunës së Gjakovës, e cila është nënshkruar nga kryetari Ardian Gjini.

Këto vendime janë të bazuara në nenin 17 të Ligjit për Përkujdesjen e Kafshëve, në të cilin po ashtu është e ndaluar kjo dukuri.

Përndryshe, kohëve të fundit në grupin “Të bashkuar për kafshët” është raportuar për dukurinë e garave mes qenve. Kp për raste të tilla ka kontaktuar policinë dhe komunat përkatëse dhe ka raportuar për këtë dukuri.

Deri më tash, urdhëresë për ndalimin e vrasjes dhe keqtrajtimit të kafshëve kanë marrë edhe komunat e Rahovecit dhe Vushtrrisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat