Rrëfimi për vrasjen në Marmull të Gjakovës: Babai e thirri të dyshuarin në vendin e krimit - Bota Sot
Rrëfimi për vrasjen në Marmull të Gjakovës: Babai e thirri të dyshuarin në vendin e krimit

Gjakova

Rrëfimi për vrasjen në Marmull të Gjakovës: Babai e thirri të dyshuarin në vendin e krimit

Më: 20 mars 2019 Në ora: 21:39
Vendi i vrasjes

Grindja për tokë, që përfundoi me vrasjen e një personi javën që shkoi në fshatin Marmull të Gjakovës, kishte nisur fillimisht mes viktimës dhe babait të të dyshuarit Alfred Gjuja. P. Gjugja dhe viktima Tunë Bezhi nuk kishin arritur të pajtoheshin mes vetë për një pronë familjare, përkundër se ishin mbledhur për “ta kuvendur” bashkë më disa burra tjerë në shtëpinë e A. Nikollaj – që mbeti i plagosur nga kjo ngjarje. 

Fshati Marmull, 10 kilometra larg Gjakovës, mbrëmjen e së martës së shkuar, u trondit sërish nga një vrasje. Tunë Bezhi, një banor i këtij fshati u vra, jo shumë larg shtëpisë së tij.

31 vjeçari Alfred Gjugja, nga i njëjti fshat, po dyshohet se kreu vrasjen që ndodhi me 12 mars 2019, pak pas orës 18:30. Ai, tash ndodhet në paraburgim, pasi u vetë dorëzuar në polici, vetëm pak orë pasi dyshohet se kreu krimin, që po dyshohet se ka ndodhur për shkak të një cope tokë.

Përveç të vrarit, në vendin e ngjarjes edhe një person tjetër u plagos, ndërsa të paktën dy persona të tjerë, të pranishëm, u rrezikuan.

Reporteri ka siguruar versionin e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, e cila po heton këtë vrasje dhe plagosje, mbi bazën e të cilës Gjykata Themelore e kësaj komune ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Alfred Gjugja.

‘Mbledhia’ për tokë dhe telefonata që çoi në vrasje

Në dokumentin e siguruar, shpjegohen se si ka lindur konflikti dhe çka kishte ndodhur paraprakisht mes fqinjëve, në ditën kritike.

Aty thuhet se vëllai i të dyshuarit Alfred Gjugja, jo shumë kohë më parë, i kishte shitur një parcelë tokë viktimës Tunë Bezhi. Por, për këtë gjë nuk ishte pajtuar Alfredi.

Për ta zgjidhur këtë punë, babai i të dyshuarit, P. Gjugja dhe viktima Tunë Bezhi i kishin mbledhur burrat, në ditën kritike. ‘Mbledhija’ ishte bërë në shtëpinë e A. Nikollaj. Të pranishëm aty kishin qenë edhe dy burra tjerë, të të njëjtit fshat – Marmull, por jo edhe i dyshuari Alfred Gjugja.

Pajtimi nuk ishte arritur. Kështu pohohet në dokumentin e prokurorisë.

“Pasi nuk janë pajtuar, duke dalë jashtë, në një moment P. Gjugja i telefonon të pandehurit [Alfred Gjuja] të cilin e njofton se nuk kanë arrit marrëveshje”, pretendon prokuroria, pasi ka dëgjuar dëshmitarët.

Aty thuhet se vetëm pas pak minutash Alfred Gjugja, i armatosur, ka arritur në vendin e ngjarjen. Fillimisht, tregohet se, e ka sharë me nënë tani të ndjerin Tunë Bezhi. E më pas, prokurori i rastit, pretendon se i dyshuari nxjerri pushkën gjysmë automatike dhe qëllon në drejtim të automjetit të viktimës, brenda të cilës ndodhej ai.

“Kur i ndjeri del nga automjeti për tu larguar, i pandehuri gjuan në drejtim të viktimës me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, i cili transportohet për në Spitalin Rajonal”, thotë prokuroria.

E si pasojë e këtyre gjuajtjeve, Tunë Bezhi ndërron jetë, pa mbërritur në duart e mjekëve.

Plagosja e nikoqirit të ‘mbledhisë’ dhe shoqërimi në polici i babait të të dyshuarit

A. Nikollaj, që kishte hapur dyert e shtëpisë së tij që burrat të diskutonin zgjidhjen e kontestit pronësorë, sipas dëshmitarëve të rastit, përfshirë edhe dëshminë e tij, sapo i dyshuari Alferd Gjugja kishte shtënë me armë në drejtim të veturës së viktimës, kishte provuar ta ndalte atë.

Nikollaj i kishte dalë përpara të dyshuarit.

Por, përveçse nuk kishte arritur ta ndalte, edhe vetë ai hëngri një plumb në këmbën e majtë.

“Pasi i dëmtuari [A. Nikollaj] rrëzohet në tokë sulmon duke e goditur me kondakt të pushkës në kokë”, shpjegon tutje rastin Prokuroria e Gjakovës.

Ndonëse në dokumentin e prokurorisë nuk përmendet, Policia e Kosovës me të dalë në vendin e ngjarjes kishte shoqëruar në polici babanë e të dyshuarit P. Gjugja.

Më pas ai ishte liruar, pak pasi i biri i tij Alfred Gjugja ra në pranga të policisë, mbrëmjen e së martës së shkuar.

P. Gjugja, sikurse i plagosuri A. Nikolla, dhe dy burrat tjerë të pranishëm kur ndodhi vrasja, për Prokurorinë Themelore të Gjakovës janë dëshmitarë të rastit.

Paraburgosja për 30 ditë e Alfred Gjugjës

Gjykata Themelore e Gjakovës, dy ditë pas kësaj ngjarje, ka caktuar paraburgim për një muaj ndaj të dyshuarit Alfred Gjugja.

Rrjedhimisht, kjo gjykatë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, për caktimin e kësaj mase.

“… me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, i njëjti, do të arratiset nga Kosova apo të fshehët brenda territorit të Kosovës duke qenë i vetëdijshëm për dënimin e lartë me burgim që do t’i kanosej po që se provohet fajësia e tij dhe në këtë mënyrë do të pengojë rrjedhën normale të procedurës penale, andaj caktimi i paraburgimit sipas kësaj baze ligjore është i nevojshëm për mirëvajtjen e rregullt dhe pa pengesa të procedurës penale”, thuhet në kërkesën e prokurorit të aprovuar nga gjykata me aktvendim për paraburgim të të dyshuarit.

Tutje, Prokuroria dhe Gjykata Themelore e Gjakovës konsiderojnë se në rast se Alfred Gjugja qëndron në liri, ka arsyeje për të besuar se do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dy dëshmitarët e rastit dhe të plagosurin A. Nikollaj, të cilët janë bashkëfshatar të tij.

“… në mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, i pandehuri ka treguar vendosmëri për ta kryer veprën penale. Karakteristikat e tij personale, sjellja e tij, tregon rrezikun se nëse i pandehuri mbetet ne liri, i njëjti mund ta përsëris veprën penale”, pretendon prokuroria.

Këtë të fundit, dokumenti i siguruar, e bazon në dëshminë që i plagosuri A. Nikollaj e ka dhënë në hetuesi. Ai kishte thënë se edhe pse ka ndërhyrë vetëm për ta larguar Alfred Gjugjen, ky i fundit pa asnjë arsyeje e ka plagosur dhe më pas e ka goditur me kodakt.

Prokuroria e Gjykata e Gjakovës nuk përjashtojnë as mundësinë që rasti i së martës së shkuar të ketë përfunduar krejtësisht. Ato, vlerësojnë se ka rrezik të hakmarrjes.

“Duke marrë parasysh se raportet mes familjarëve të tyre janë shumë të acaruara, ekziston rreziku që me gjetjen e mundeshe të të pandehurit në liri të mund të vije gjerë tek ndonjë hakmarrje e mundeshe nga ana e familjarëve të viktimës, përkatësisht familjareve të të ndjerit [Tunë Bezhi] dhe të dëmtuarit [A. Nikolla]”, thuhet në dokument.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...