Ferdonije Qerkezi: Liria nuk erdhi ashtu qysh e kemi pritë - Bota Sot
Ferdonije Qerkezi: Liria nuk erdhi ashtu qysh e kemi pritë

Gjakova

Ferdonije Qerkezi: Liria nuk erdhi ashtu qysh e kemi pritë

Më: 12 qershor 2019 Në ora: 14:29
Ferdonije Qerkezi

Lufta e Kosovës ka shkaktuar disa lloje të tragjedive, ndër të cilat dramën e të zhdukurve të luftës. Familjarët e të zhdukurve janë dëshmia e gjallë e historisë së tyre. Një prej tyre është Ferdonije Qerkezi, e cila ka të humbur burrin dhe katër djemtë.

Me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ajo ishte e ftuar në emisionin #gjesi në T7 ku për herë të parë në një studio televizive foli për jetën e para, gjatë dhe pas luftës.

“Na e kemi pritë lirinë me dëshirë të madhe, si unë, bashkëshorti, djemtë, edhe nuset i kam pasë aty, që si të intervenon NATO, na kemi me pshtu, se ishim edhe krejt populli shqiptar. Por fatkeqësisht nuk pshtun krejt populli si familja jem jo, edhe shumë familje tjera ka si unë, por fatmirësisht që ka pshtu populli dhe liria erdhi. Po qysh na e kemi prit nuk u ardhë”, është shprehur me lot ne sy nënë Ferdonije. 

Pasditen e 27 marsit të vitit ’99, policia serbe kidnapoi burrin dhe katër djemtë e Ferdonije Qerkezit. Deri në vitin 2005 ajo ka qenë në kërkim të eshtrave të gjithë familjarëve. Por në këtë vit eshtrat e dy djemve te Artanit dhe Edmondit tashmë janë gjetur e varrosur, por është në pritje edhe të eshtrave të burrit dhe dy djemve të tjerë për ta rehatuar shpirti plotësisht.

Ajo krahas dhimbjes së madhe, ka ruajtur me shumë kujdes kujtimin për ta. Madje, shtëpinë e ka kthyer në një lloj muzeu familjar. Historia e saj është parë dhe dëgjuar në shumë media vendore e ndërkombëtare dhe shprehet se e ndjen vetën dëshmitare dhe se duhet ta bartë dhe të rrëfejë në vazhdimësi këtë tregim për të mos u harruar ato që kanë ndodhur gjatë luftës.

“Në fillim kur m’i kanë marrë gjithmonë kam thanë pse nuk më morën edhe mu, bile mos me më lanë. Po tash po e shoh se fati koka kanë me jetu unë edhe me u ba dëshmitare e fortë për me tregu se çka i ka ndodhë familjes Qerkezi. Unë gjithmonë i kujtoj fjalët e burrit dhe djemve se duhet me kanë të fortë gjatë luftës, se lufta nuk sjell sene të mira po po sillke tragjedi t’ranë. Ata thojshin për luftë duhet me shku dikush edhe çka do që ndodh duhet me kanë e fortë”, shtoi më tej ajo.

Krahas varreve të djemve, Artanit dhe Edmondit, janë të hapura edhe varret e burrit dhe dy djemve të tjerë, e që kërkimi i tyre e mban në këmbë dhe të fortë Ferdonije Qerkezin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...