Dënohet me kusht i akuzuari për posedim të narkotikëve

Gjakova

Dënohet me kusht i akuzuari për posedim të narkotikëve

Më: 20 qershor 2019 Në ora: 16:02
Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, të enjten, e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale “blerje, posedim apo shitje e paautorizuar të substancave narkotike”, Bajram Idrizaj.

I akuzuari Idrizaj është dënuar me 300 euro gjobë dhe dy vite burgim me kusht.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu, dënimi me gjobë dhe burgim nuk do të ekzekutohen, nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej tre vjetësh.

Sipas aktakuzës së ngritur më 31 dhjetor 2018, Bajram Idrizaj, akuzohet se pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substancë narkotike.

Në aktakuzë thuhet se më 5 prill 2018, në ora 19:20, hetuesit e Njësitit për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë, gjatë zbatimit të hetimit me masë të fshehtë me emrin e koduar “SMOKI”, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë, në lagjen “Dardani”, ka ndalur të pandehurin Bajram Idrizaj, i cili është takuar me Agim Malushaj, i cili ka blerë substanca narkotike të llojit heroinë dhe marihuanë.

Sipas aktakuzës, në trupin të pandehurit është gjetur një folje e mbushur me 0.53 gram heroinë dhe një qese e mbushur me 2.37 gramë marihuanë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “blerje, posedim, apo shitje të paautorizuar të substancave narkotike”, nga neni 273 par.1 i KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat