Dorëzohet kontingjenti i 12-të i padive ndaj serbëve për krime lufte në Gjakovë

Gjakova

Dorëzohet kontingjenti i 12-të i padive ndaj serbëve për krime lufte në Gjakovë

Më: 1 gusht 2019 Në ora: 13:06
Shkëndije Hoda

Familjet e prekura nga lufta në Gjakovë po e ngritin zërin për kërkimin e fajtorëve që lanë shumë fëmijë jetim, gra pa burra e nëna pa fëmijë. Derisa 20 vjet pas përfundimit të luftës, kriminelët serbë vazhdojnë të sillen të lirë, ekzistojnë dëshmi për krimet e bëra, madje kryerësit e këtyre veprave njihen me emër dhe mbiemër.

Qytetarët e komunës së Gjakovës, të cilët kanë qenë dëshmitarë të këtyre krimeve, po ndihmojnë edhe me padi ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte. Vetëm sot zyra për mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Komunën e Gjakovës gjatë periudhës 1998-1999, ka dorëzuar kontingjentin e 12 padive të bëra nga qytetarët e kësaj komune.

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e familjarëve, tha se kontingjenti i këtyre kallëzimeve penale është bërë nga vetë dëshmitarët e rasteve, ku si të tillë kanë qenë prezentë gjatë asaj kohe.

Hoda: Ne do të bëjmë presion që të fillohet procedura penale nga kriminelëve

“Sot e sollëm edhe kontingjentin e 12-të të kallëzimeve penale, kallëzime penale që janë bërë nga vetë dëshmitarët të rasteve të cilat kanë qenë dëshmitarë, qoftë në vrasje apo përdhunime, qoftë në krime të tjera të kryera nga forcat serbe. Ne do të bëjmë sa më shumë që kriminelët, të cilët janë pjesëmarrës të këtyre krimeve në komunën e Gjakovës të fillojnë një procedurë penale ndaj tyre. Këto kallëzime penale nuk janë përralla, por ngjarje të vërteta”, tha Hoda.

Ajo tha se është e njoftuar se si shkojnë procedurat gjyqësore, andaj edhe nuk pret që të bëhen me ‘shkop magjik’, teksa shtoi se janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo qytetari që ofron dëshmi për kallëzime penale.

Paditë që janë dorëzuar më herët, tash janë në polici, për çka Hoda tha se shpreson se do të punohet në këtë aspekt. Për këtë siguron se kriminelët nuk do të shpallen të pafajshëm siç ka ndodhur deri më tani.

Hoda: Nuk do i lejojmë të dalin të pastër kriminelët serbë

“Komuna e Gjakovës njihet si komuna me dëme materiale më e madhja, dihet që e tejkalon numrin e 1600 vrasjeve, dhe ka afro 5000 raste të përdhunimeve të nënave dhe motrave tona. Kështu që ne nuk do i lejojmë me kaq kriminelët të dalin të pastër para këtyre kallëzimeve penale. Secili dëshmitar nëse ka qëlluar në vendin e ngjarjes dhe e ka parë krimin, ai ka arritur të identifikojë edhe kriminelin. Në bazë të emrit dhe fotografisë që i bashkëngjitet, ne mundohemi, e di që është shumë e vështirë për familjarin, por na japin edhe fotografitë e personit të vrarë, martirit të lirisë”, ka thënë ajo.

Në padi janë bashkangjitur dokumentet e gjetura të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë, të cilët kanë operuar në këtë komunë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat