Veseli premton përkrahje për Gjakovën në institucione qendrore

Gjakova

Veseli premton përkrahje për Gjakovën në institucione qendrore

Më: 17 shtator 2019 Në ora: 17:36
Tubimi në Gjakovë

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli gjatë një takimi sot me strukturat e kësaj partie në Gjakovë, ka premtuar se do të mbështesë këtë komunë dhe njerëzit e saj në institucione qendrore pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Veseli kërkoi nga qytetarët e Gjakovës të votojnë kandidatët e PDK-së për deputetë, pasi janë njerëz të përgjegjshëm dhe do të kenë përkrahjen e tij institucionale.

Krahas mbështetjes që dha për punëtorët dhe sipërmarrësit, ai tha se nuk do të ketë përkrahje për dembelët dhe ata që manipulojnë.

Veseli: Do t’i përkrah njerëzit e Gjakovës në institucione qendrore

“Unë do të jem në Gjakovë, me të gjitha projektet të cilat ka mundësi t’i bëjë Qeveria e Republikës të Kosovës, për aq sa unë do t’i përkrah njerëzit e Gjakovës në institucione qendrore. Ju përkrahni ata më 6 tetor që të jenë zëri juaj dhe të jenë vendimmarrja juaj. Mos të vendosë dikush tjetër jashtë Gjakovës për ju, por të vendosni ju. Ju keni besuar shumë dhe shumë kujt, nuk e di ata shumë dhe shumëkujt, a ua kanë kthyer me hallall sikurse ju i keni besuar atyre. Unë mendoj se jo”, tha ai.

Edhe në Gjakovë, Veseli nuk la pa përmendur luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit.    

Veseli: Do ta luftojmë korrupsionin dhe nepotizmin në një standard tjetër

“Lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit do të jetë një standard tjetër, do të jetë një standard për të ndalur të keqen që po e bllokon perspektivën e vendit tonë. Po ua bllokon mundësitë e barabarta të rinjve. Kjo është një mundësi e artë për të dalë te koncepti i cili është i dijes, inovatorëve të rinj, rinisë, për ta zhvilluar një ekonomi, e cila është e bazuar në standardet më të larta të konkurrencës, dijes, një ekonomi të lirë të tregut, ku ndërmarrësit e vegjël, të mesëm e të mëdhenj e kanë përkrahjen e shtetit”, u shpreh ai.

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa tha se PDK jo vetë, që do të fitojnë zgjedhjet e 6 tetorit, por edhe ato lokale në Gjakovë.

Duke aluduar në dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, Beqa tha se Veseli nuk do të ikë, por do t’ia kthejë shpresën rinisë.

Beqa: Veseli nuk do të ikë sikur Haradinaj, do t’ia rikthejë shpresën rinisë

“Brenda 30 ditëve të qeverisë Veseli, do të vijmë bashkë me kryeministrin e ardhshëm, Veseli dhe do ta caktojmë edhe kandidatin për kryetar të komunës, për të cilin zotohem se do t’i fitojë zgjedhjet lokale pa balotazh. Unë e di se ju kanë lodhur ish-partnerët e koalicionit, duke iu thënë ‘e bëmë atë projekt, e bëmë këtë projekt’, të gjitha projektet në lagje të qytetit, në 87 fshatrat, kanë qenë në projektin ‘Fillimi i ri’, kur ishte  Veseli dhe Haradinaj iu bashkua atij fillimi në moment që kur erdh koha me i lënë beneficionet e me iu vesh punës iku. Por, Veseli nuk do të ikë, do t’ia kthej shpresën rinisë”, tha ai.

Kjo parti sot ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga Gjakova: Hajdar Beqa, Geta Beqa, Butrint Batalli, Hysen Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat