Haradinaj: S’ka qytet tjetër si Gjakova që është rreshtuar kaq fuqishëm me 119

Gjakova

Haradinaj: S’ka qytet tjetër si Gjakova që është rreshtuar kaq fuqishëm me 119

Më: 4 tetor 2019 Në ora: 19:39
Ramush Haradinaj

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur Gjakovën për të mbajtur tubimin përmbyllës të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.

Haradinaj fjalën e mori duke treguar një rrëfim.

“A po shkon bre bir me dalë deri kah Gjakova dhe të marrim vesh qysh i kemi punët sepse ata e dinë dhe na kallxojnë edhe neve. Po më duket që krejt Kosova e ka marrë vesh sepse ju e dini si i kemi punët?. Sa herë ka zgjedhur Gjakova i ka ra mirë edhe shqiptarëve kudo”.

“Nuk ka dikush në Kosovë që nuk e di se Gjakova e ka zgjedhur koalicionin 100 për qind shtet. Për këtë s’ka dilemë askush, s’ka qytet tjetër që është rreshtuar kaq fuqishëm me 119. Kjo është një porosi e mirë për krejt Kosovën”.

“Kemi dy detyra si qeveri, si më e fuqishmja që ka me dalë prej zgjedhjeve, pra të fuqizohet mbrojta dhe siguria. Në këto punë kemi bërë planin qeverisës. Dhe për planin e sigurisë kam qejf të flas në Gjakovë. Ushtria jonë edhe pse është më e reja dhe më moderne në Ballkan, nuk po them në botë por do të bëhet më e mira në kontinentin tonë”.

“Policia është ndër më të aftat në rajon. AKI-ja është në nivel dhe ne e dimë se çka mendojnë armiqtë tonë para kohe”.

Haradinaj edhe para simpatizantëve në Gjakovë ripërsëriti kritikat për kundërkandidatët e tij në raport me vendimet e tyre për taksën, e cila u vendos gjatë qeverisjes së tij.

“Nëse dikush prej neve çon porosi të përziera se jemi kreativë dhe fleksibilë rriten pritjet edhe të Serbisë edhe të bashkësisë ndërkombëtare dhe kanë me ardhë me na lyp diçka për ndërrim për njohje. Është gabim pozicioni i konkurrentëve të mi që kanë filluar qysh tash me thënë se duhet kreativitet, fleksibilitet dhe kompromise të dhimbshme”.

“E dini sa kompromise kemi në shpirt sepse ne ende kemi të pagjetur dhe çfarë plage ka ky vend. Kolegët e mi janë duke bërë gabime dhe po tregojnë papjekuri politike. Ata po e bëjnë atë çka e bëri Hashim Thaçi që mendoi se duke i marrë në grykë bashkësinë ndërkombëtare e duke dalë në syreta i zgjidh punët e Kosovës, por e pruni punën sa me i lyp Kosovës territor. Është gabim ky drejtim”.

“Qëndrimi im ka qenë tjetër dhe t’i tregojmë drejt aleatëve tonë se deri ku na ka ardhur se më nuk kemi ku shkojmë. Kosova nuk mund të ndahet sepse nuk mbet asgjë prej saj dhe Kosova nuk mund ta jep një “Dodik Republikë” se bëhet jofunksionale. Ne i kemi dhënë të drejta të privilegjuara serbëve të Kosovës që kanë ardhur përmes pakos së Ahtistarit”.

“E vetmja gjë që Kosova mund ta jep është një asociacion për t’u marrë vesh me Serbinë por brenda ligjeve të Kosovës dhe Kushtetutës dhe hapja e tregut para njohjes”.

“Hapja e tregut para këtij rezultati ata kanë me lypë diçka tjetër. Ata s’do të fitojnë se s’kanë me iu ardhur puna që ta qesin Kosovën në pazar”.

“Për me i bindë se s’kemi ku shkojmë jam detyruar të jap dorëheqje se unë s’mund të shtyhem më prapa. Nuk besoj që se kanë të qartë që ndërkombëtarët mund ta dorëzojmë Ramushin. Djemtë e Gjakovës e dinë se në çka jemi ra dhe s’jemi dorëzuar”.

Për Haradinajn reciprociteti me Serbinë nuk është i mundur pasi Kosova nuk e mund Serbinë me mall për dallim prej saj.

I pari i AAK-së tha se në vitin 2009 nuk iu ka besuar rezultateve paraprake nëpër televizione por disa urimeve të të moshuarve.

“Në vitin 2009 e pritshim rezultatin dhe krejt televizionet thoshin që AAK-ja i ka7- 8 për qind. Unë nuk ju besova se më thoshin ndonjë grua apo plak i moshuar “Zoti të ruajttë”. Ju kam pasë thënë se nuk iu besoj atyre matjeve dhe kështu ndodhi. Kur u shpallën rezultatet AAK-ja shkoi deri në 18.2 për qind”.

“Pra ata që po mundohen me shpallë veten fitues që edhe mund të jenë, por vetëm populli e di. Gjakovë ju po e dini ku është fitorja, prandaj dhe po e shpallin fitoren. Gjakovë na priftë e mbara!”.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat