Tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj qytetarit të prangosur në Stacionin Policor në Gjakovë

Gjakova

Tortura dhe trajtimi çnjerëzor ndaj qytetarit të prangosur në Stacionin Policor në Gjakovë

Më: 9 tetor 2019 Në ora: 22:04
Pamje nga videoja

Sinjali ka siguruar videon ekskluzive të torturës së ushtruar nga komandanti dhe pesë zyrtarët e Stacionit të Policisë në Gjakovë, ndaj një qytetari me duar të lidhura.

Në materialin e siguruar nga Policia e Kosovës, shihet dhuna e shfrenuar brenda stacionit policor të Gjakovës nga komandanti, Kristë Gjokaj dhe pesë vartësit e dyshuar për përfshirje në këtë rast, kapiteni Bekim Preniqi dhe rreshterët Gëzim Bilekaj, Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limanaj.

Uniformat e Policisë së shtetit, siç shihen në video, ushtrojnë në vazhdimësi brutalitet të pashembullt grupor ndaj të prangosurit, me grushte e shkelma, duke e sjellë atë deri në prag të agonisë, përmes përdorimit të dhunës në shkallën e torturës çnjerëzore.

E tërë kjo harbutëri e policisë ndodhi gjatë detyrës zyrtare brenda Stacionit Policor, ndaj një qytetari me duar të lidhura i cili ishte vënë në kontroll të plotë të tyre dhe nuk paraqiste asnjë lloj rreziku për ushtruesit e dhunës.

Përkundër gjithë kësaj dhune, komandanti dhe pesë policët vazhdojnë t`i ushtrojnë funksionet e tyre zyrtare në vendin dhe pozitën e njëjtë sikur të mos kishte Prokurori fare.

Si dhe kur ndodhi ngjarja?

E tërë ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 nëntorit të vitit 2018, kur qytetari Muhamer Raifi nga Prishtina, sipas pohimeve të tij, teksa po priste një shoqe në parkun e qytetit të Gjakovës, ishte arrestuar dhe prangosur nga katër policë të cilët, siç theksonte ai, kishin filluar ta godisnin në të gjitha pjesët e trupit pa ndonjë shkas.

Sipas ankuesit, policët e kishin tërhequr zvarrë përgjatë parkut dhe duke e rrahur e kishin dërguar në stacionin policor në Gjakovë.

Mediai posedon incizimin nga momenti kur Muhamer Raifi ishte sjell i gjakosur në Stacionin Policor të Gjakovës, rreth orës 02:24 pas mesnate. Sipas pamjeve të regjistruara, ai sillet në stacionin policor në gjendje të dërrmuar dhe me gjurmë të dukshme në fytyrë të dhunës fizike që ishte ushtruar ndaj tij.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat