Apostolova kërkon që të nisin punimet për ngrohtoren e re të Gjakovës

Gjakova

Apostolova kërkon që të nisin punimet për ngrohtoren e re të Gjakovës

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 14:57
Natalia Apostolova

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, sot ka qëndruar në Gjakovë ku ka takuar edhe kryetarin e kësaj komune, Ardian Gjini, me të cilin ka diskutuar për projektet që janë financim i BE-së.

Ngrohtorja me biomasë dhe ndërtesa e re e Kuvendit të Komunës janë vetëm dy prej projekteve më madhore që Bashkimi Evropian financon në këtë qytet, për njërin prej të cilit Apostolova shprehu keqardhjen për mos fillimin e punimeve.

Në fakt, sot ishte planifikuar të fillonin punimet për ngrohtoren, por për shkak të mos kompletimit të dosjes nga ana e Ministrisë së Ambientit, punimet nuk kanë filluar ende.

Apostolova kërkoi nga Ministria e Ambientit që t’i japë zgjidhje kësaj çështje pasi dëshiron të shohë nisjen e punimeve dhe në fund gjakovarët të gëzojnë një ngrohtore e cila është miqësore me ambientin.

Ngrohtorja me biomasë është projekti i parë i këtij lloji në Kosovë dhe projektet e tilla Apostolova tha se janë me prioritet për Bashkimin Evropian.

Apostolova: Dua të shoh nisjen e punimeve për ngrohtoren

“Komuna e Gjakovës është një nga vendet që merr mbështetjen më të madhe në të gjithë Kosovën. Megjithatë më duhet të shpreh keqardhjen që nuk ishim në gjendje sot të shohim fillimin e punëve për një projekt shumë të rëndësishëm si ngrohtorja me biomasë. Ne jemi duke pritur edhe disa dokumente në mënyrë që gjithçka të finalizohet dhe të nisin punimet. Më duhet të theksoj që ky projekt i ngrohtores me biomasë është projekti parë i këtij lloji në Kosovë dhe siç e dini biomasa konsiderohet miqësor me ambientin. Siç e dini zv.presidenti i Bashkimit Evropian ka theksuar dhe ka vendosur mbrojtjen e ambientit dhe kujdesin për natyrën si një nga prioritetet kryesore të Bashkimit Evropian. Shpresoj që Ministria e Ambientit shumë shpejtë do t’i përgjigjet kësaj dhe afërisht 40% e qytetarëve të Gjakovës t’i kenë shërbimet nga kjo ngrohtore” , deklaroi ajo.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, fillimisht falënderoi Apostolovën për mbështetjen e projekteve.

Ai tha se BE mbetet donatori më i madh dhe qytetarët e tij shumë shpejtë do t’i gëzojnë disa projekte me shumë rëndësi që po financohen nga ky institucion.

Duke u ndalur tek ngrohtorja, Gjini tha se shpreson që Ministria e Ambientit të zgjidhë këto çështje procedurale dhe punimet të nisin sa më shpejtë të jetë e mundur.

Gjini: Projektet e financuara nga BE të rëndësishme për gjakovarët

“Bashkimi Evropian është pakrahasueshëm donatori më i madh në të gjitha aspektet, jo vetëm për Gjakovën, por besoj për të gjitha komunat e Kosovës dhe për të gjithë Kosovën. Gjakova shumë shpejtë do t’i gëzojë disa projekte jashtëzakonisht të rëndësishme që financohen në pjesën më të madhe nga Bashkimi Evropian siç është ndërtesa e re e Kuvendit të Komunës që po vazhdon të ndërtohet dhe ngrohtorja e re e qytetit e kogjenerimit e cila shumë shpejtë pritet të nisë. Ne kemi besuar që sot do të nisim, mirëpo ka pasur vonesa në Ministri të Mjedisit me disa çështje procedurale besoj dhe do të zgjidhet shpejtë, sidoqoftë, po gëzojmë mbështetje të jashtëzakonshme edhe këto janë projekte jashtëzakonisht të mira për të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës”, deklaroi Gjini.

Ndryshe, projekti për ngrohtoren është parashikuar të funksionojë me biomasë, duke përdorur mbeturinat bujqësore dhe drusore si lëndë djegëse.

Këtë projekt 12 milionë eurosh Komuna e Gjakovës e kishte fituar në vitin 2015, por prej atëherë nuk ka nisur ndërtimi i saj.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat