Prej ditësh nuk largohen mbeturinat në Gjakovë, punëtorët kompetentë në grevë - Bota Sot
Prej ditësh nuk largohen mbeturinat në Gjakovë, punëtorët kompetentë në grevë

Gjakova

Prej ditësh nuk largohen mbeturinat në Gjakovë, punëtorët kompetentë në grevë

Më: 20 janar 2020 Në ora: 11:10
Drejtori i “Çabratit”, Berat Hadri

Prej disa ditësh punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” të cilët janë përgjegjës për grumbullimine mbeturinave në tërë territorin e komunës së Gjakovës janë në grevë.

Organizimi i kësaj greve ka filluar të enjten dhe sipas organizatorëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në plotësimin e kërkesës së tyre, e cila është garantimi nga aksionari që në këtë rast është Komuna e Gjakovës se nuk do të ketë ndryshime apo ndonjë shkarkim të menaxhmentit të kësaj ndërmarrje, konkretisht të kryeshefit ekzekutiv e që është Berat Hadri.

Punëtorët grevistë thonë se me shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrje dhe emërimin e bordit të ri, do të ndodhin lëvizje në menaxhimin e brendshëm të ndërmarrjes.

Drejtori i “Çabratit”, Berat Hadri, tha se kjo grevë është organizuar kundër vullnetit të tij dhe iu ka kërkuar organizatorëve që e njëjta të ndërpritet dhe të fillohet puna e rregullt sipas planit të paraparë operativ.

Mirëpo kërkesa e tij është hasur në vesh të shurdhër të punëtorëve, të cilët nuk duan që Hadri të shkarkohet nga pozita e drejtorit.

Për shkak të mos grumbullimit të mbeturinave, situata në qytetin e Gjakovës është rënduar, madje mbeturinat nuk janë larguar as në qendër të qytetit.

Po ashtu, një pjesë e madhe e qytetit, përfshirë komplet lagjen “Orize” e njohur si “Blloku i Ri”, si dhe rrugët që përfshijnë pjesën lindore të qytetit, nga rruga e “UÇK” në qendër të qytetit deri në rrugën “Skënderbeu” ku janë të lidhura shumë rrugë nuk janë larguar mbeturinat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat