Kujtohet jeta dhe vepra e 30 dëshmorëve të komunës së Gjakovës

Gjakova

Kujtohet jeta dhe vepra e 30 dëshmorëve të komunës së Gjakovës

Më: 29 janar 2020 Në ora: 13:56
Foto

Për nder të 21 vjetorit të rënies të 30 dëshmorëve të kombit në Bishtazhin, Goden dhe Rugovë të Hasit, me 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, janë bërë homazhe dhe është mbajtur një akademi përkujtimore.

Në akademi u tha se Epopeja e janarit është prej më të rëndësishmëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila bëri kthesë historike drej çlirimit të vendit. 

Përveç familjarëve të dëshmorëve të pranishëm ishin shumë bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit.

Kryetari i këshillit lokal të Rugovës, Islam Gashi, u shpreh se falë  luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, NATO-s dhe SHBA-së,  u arrit pavarësia.

Sipas tij, krenaria për dëshmorët është më e madhe se dhimbja dhe se do të kujtohen për jetë e mot.

Gashi: Dëshmorët e kombit do të respektohen për jetë e mot

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës prej ditës në ditën tjetër u bë edhe më e fuqishme në teren kundër forcave ushtarake, vrastare serbo-sllave, të cilat bënin krime në popullin e pa mbrojtur, falë luftës çlirimtare që e bëri UCK e përkrahur dhe e ndihmuar nga NATO-ja dhe SHBA-të, u fitua liria të cilën e gëzojmë sot. Këta dëshmorë për familjarët dhe për neve janë të pa vdekshëm dhembja për ta është edhe sot e ndjeshme, por krenaria është më e madhe andaj familjarët janë krenar që patën djem trima dhe guximtar që i dolën zot atdheut, andaj dëshmorët e kombit për ne dhe për gjeneratat e reja do të respektohen për jetë e mot”, tha Gashi.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se familjarët e dëshmorëve duhet të jenë  gjithmonë krenar me punën dhe veprën e tyre.

Gucati: Lavdi punës dhe veprës së gjithë dëshmorëve të kombit

“Janari është gjithmonë i përgjakshëm në trojet e shqiptarëve, tu e lidhë prej Isuf Gërvallës e deri në janarin e vitit 1999, kështu që familjarët e të rënëve, dëshmorëve duhet të jenë krenar me punën dhe veprën e tyre. Lavdi punës dhe veprës së gjithë dëshmorëve të kombit, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” , tha Gucati

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se tre ditët e Janarit kanë mbetur ‘pezm’ në zemrat e të gjithë Kosovës, e 21-vite mbas Gjini tha se ndihen krenar kur shohin fëmijët të rritur dhe të lirë në vendin e tyre.

I pari i Gjakovës u shpreh se sa të jetë jeta do t’i përkujtojnë dëshmorët që ranë për liri dhe pavarësi të vendit.

Gjini: Sa të jetë jeta do t’i përkujtojmë dëshmorët e kombit

“Po bëhen 21 vjet  që ne e përkujtojmë një betejë, një masakër i përkujtojmë disa ditë , 3 ditë në fakt në të cilat zemrat e juaja po edhe zemrat e të gjithë Kosovës kanë pas një ‘pezm’, po 21-vite mbas ne i shohim fëmijët që janë rritur, e shohim Rugovën që është rritë, i shohim këta fëmijë që me krenari i mbajnë fotografitë e të parëve të tyre pa të cilit sot nuk kishim mundur me qenë kështu si janë, nuk kishin mundur me shku në këto shkolla që janë. Sa të jetë jeta kemi me i përkujtuar dëshmorët e Kombit ata që ranë për liri, njerëz që fundi i fundit na kanë bërë me u ndjerë shqiptarë”, tha Gjini.

Përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve  Beqir Zenelaj,  falënderoi të gjithë të pranishmit të cilët kishin gjetur kohë të merrnin pjesë në këtë ceremoni përkujtimore.

Ndryshe, Epopeja e 27,28 dhe 29 janarit, filloj me betejën e Godenit pastaj atë të Bishtazhinit dhe duke përfunduar në Rugovë ku ranë gjithsej 30 dëshmorë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat