“Epopeja e Çabratit”, Gjakova shënon ditën e krenarisë

Gjakova

“Epopeja e Çabratit”, Gjakova shënon ditën e krenarisë

Më: 7 maj 2020 Në ora: 15:12
Ardian Gjini

Gjakova sot kujtoi “Epopenë e Çabratit” e cila u zhvillua më 7, 8 dhe 9 maj në këtë qytetet. Kjo është një ngjarje e shënuar në historinë e luftës së Kosovës për faktin që është beteja e vetme e zhvilluar brenda qytetit.

Për nder të dëshmorëve dhe martirëve të Çabratit, kryetari i Komunës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë dhe veteranë të UÇK-së në Gjakovë, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe martirëve si dhe në Kompleksin Memorial në Çabrat.

Gjini deklaroi se sot është një ditë krenarie për Gjakovën, por në të njëjtën kohë ndjejnë dhimbje për të rënët si dhe për ata fati i të cilëve ende nuk dihet as pas 21 vitesh.

Forcat ushtarako-policore serbe në këto ditë nuk kurseu as civilët e pafajshëm te zona e quajtur Ura e Taliqit ku humbën jetë 26 persona.

Gjini: Kjo është ditë e krenarisë për Gjakovën

“Kjo ditë është ditë kur ne i përkujtojmë dëshmorët dhe martirët e kombit të komunës së Gjakovës, është një ditë që e nxjerr në sipërfaqe atë që është më e mira e kësaj treve që e ka treguar për shekuj e shekuj por që ka kulmuar me datën 7, 8 dhe 9 maj. Kemi dhimbje për të humburit dhe ende kemi persona të pagjetur fatkeqësisht edhe jo është një brengë e jashtëzakonshme për të gjithë ne. Është ditë krenarie për shkak se e nxjerr më të mirën tonë, në këtë kohë jemi në pandemi ende kemi restrikcione dhe nuk kemi pasur mundësi që ta shënojmë këtë ditë ashtu siç jemi mësuar ta shënojmë por do të vijnë ditë më të mira. Të gjithë qytetarëve të komunës së Gjakovës, urime kjo ditë e krenarisë, edhe e dhimbjes por në të njëjtën kohë edhe e krenarisë”, deklaroi Gjini.

Brigada 137 “Gjakova” u ngrit pas kërkesave të ushtarëve gjakovarë të UÇK-së për ndërhyrje në qytetin e tyre, me qëllim të ndalimit të masakrave dhe krimeve të ushtrisë serbe ndaj civilëve në këtë komunë.

Me datë 28 mars 1999 nga fshati Dashinoc, Komandant i ZOD-it, Ramush Haradinaj jep urdhëresën me nr. L8/862/99 për krijimin e njësitit në shkallë Brigade, të emërtuar Brigada 137 “Gjakova” e UÇK- së, bashkë me emërtimin e kuadrit komandues.

Një ditë pas themelimit, pra më 29 mars 1999 kjo brigadë me shumë pjesëtarë të armatosur, secili prej tyre i pajisur edhe me nga një armë dhe armatim shtesë, u futen në qytetin e Gjakovës.

Kjo brigadë ishte ndarë në 4 grupe, të cilat ishin vendosur në 4 pozicione të qytetit, si pikat më të mira strategjike të mundshme për zhvillimin e aktivitetit ushtarak të kësaj brigade.

Tri grupet dhe Shtabi i Brigadës ishin vendosur në lagjet e Çabratit dhe një grupi vendoset në Orize.

Komandanti i kësaj Brigade, Agron Kryeziu, kujtoi se në kuadër të detyrave të parashtruara, luftëtarët e kësaj brigade ndërmorën aksione të shumta për mbrojtjen e popullatës civile të Gjakovës.

Kryeziu: Më 7, 8 dhe 9 maj pati luftime të përgjakshme

“Më 28 mars u formua edhe Brigada 137 Gjakova dhe ne morëm një vendim që të hyjmë në Gjakovë sepse ishte me të vërtetë një gjendje e mjerueshme në ato momente kur ne dëgjonim ato vende që në qytetin e Gjakovës kishte vrasje të njerëzve pa kursyer as gra, fëmijë, burra e pleq dhe ne hymë u shtrimë në qytetin e Gjakovës si Brigadë 137 dhe ku me 7 maj ndodhi edhe ajo luftimi më i përgjakshëm që zgjati prej mëngjesit deri në mbrëmje po ashtu edhe në datat tjera, me 8 dhe 9 maj. Ishte një betejë ku sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët që ranë në atë datë dhe i përulemi vazhdimisht se me të vërtetë pasi gjaku i tyre solli edhe lirinë”, deklaroi Kryeziu.

Edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Gjakovë dhe deputeti, Agon Batusha, deputetja Saranda Bogujevci dhe anëtarët e Kryesisë së Qendrës në Gjakovë kanë bërë homazhe në nderim të 21- vjetorit të “Epopesë së Çabratit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat