100 vjetori i Tiranës kryeqytet, në Gjakovë mbahet ceremonia “Eja në shtëpinë tënde”

Gjakova

100 vjetori i Tiranës kryeqytet, në Gjakovë mbahet ceremonia “Eja në shtëpinë tënde”

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 15:55
Foto nga vendi i ngjarjes

Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë gjatë ditës së djeshme në qytetin historik në Prizren është hapur Muzeu Lëvizës –“Tirana vjen tek ti”. Përmes këtij aktiviteti synohet promovimi turistik i Tiranës. Ky aktivitet sot është mbajtur edhe në Gjakovë me projektin “Eja në shtëpinë tënde”, e që për qellim ka promovimin e turizmit në Gjakovë.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se bota shqiptare është mësuar me qendrat të cilat në periudha të ndryshme kohore ka qenë pika kryesore e zhvillimit. Gjini derisa ka përmendur vendet që kanë qenë pikat kryesore të zhvillimit ka theksuar se tanimë qendra më e madhe ekonomike është Tirana.

Ai po ashtu tha se Gjakova di shumë për Tiranën por që qëllimi është që edhe Tirana të di për Gjakovën.

Gjini: Gjakova di shumë për Tiranën, por ne duam që edhe Tirana me ditë më shumë për Gjakovën

“Ne kemi me i dashtë të gjitha, kemi me i mbajt afër vetëm mirëpo u bë 100 vjet që populli shqiptarë i kthen sytë nga Tirana shumë shpesh për mos me thënë gjithmonë. Tanimë është qendra më e madhe ekonomike, kulturore e politike. Ne të gjithë mendojmë se pavarësisht që për 80 vite kemi qenë të ndarë prapë se prapë në periudha të ndryshme kohore nuk ka shqiptarë që nuk e ka vu pak dorën në Tiranë. Për këtë mund të them se ne e kemi kryeqytet Prishtinën dhe e duam shumë, mirëpo Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Shqipërisë. Unë jam i lumtur që ju jeni në Gjakovë. Gjakova di shumë për Tiranën, ne po duam që edhe Tirana me ditë shumë për Gjakovën dhe për të gjithë Kosovën”, tha Gjini.

Ndërsa, nënkryetarja e Bashkësisë së Tiranës, Anuela Ristani tha se kjo është një vizitë brenda shtëpisë, derisa ka shtuar se kjo iniciativë është që të njihen më mirë me njëri tjetrin.

Ristani: Është koha dhe momenti tani që ta zbulojmë Gjakovën edhe si destinacion turistik

“Ne jemi shumë të kënaqur se pavarësisht kushteve dhe kufizimeve që patën turistët këtë vit arritëm që të mbajmë në sipërfaqe akoma interesin për të vizituar vendet tona dhe për të pushuar në vendet tona. Megjithatë do të donim që dashuria mos të ishte aq e njëanshme që gjithë Gjakova të vijë në Tiranë por që edhe gjithë Tirana të vijë në Gjakovë...Është koha dhe momenti tani që ta zbulojmë Gjakovën edhe si destinacion turistik, apo ta zbulojmë për një vizitë në fundjavë apo edhe për një mundësi për të patur më shumë biznese, bashkëpunim apo edhe projekte të përbashkëta. Kështu le të jetë ky jo një fillim por një vazhdim i marrëdhënie fantastike kaq shumë vjeçare që na bënë ta duam dhe ta ndihmojmë njëri tjetrin më shumë”, tha Ristani.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi tha se kjo ceremoni është e thjeshtë, me fjalë pakë e me fjalë zemre.

Minxhozi: Një ceremoni e thjeshtë, me fjalë zemre

“Është një nga ceremonitë më të thjeshta, një ceremoni pa fjalë të mëdha por me fjalë zemre dhe një përgjithësi që Gjakova të jetë e vizitueshme sa edhe Tirana . Sepse nëse gjithë shkojnë në Tiranë, Tirana ka nevojë që edhe qytetarët e saj të vijnë në Gjakovë dhe ta shohin vetën si pjesëtar të një Kombi. Nëse themi se Shqipëria duhet të vizitohet sa më tepër këtu përfshinë edhe Gjakovën, Prizrenin dhe gjithë rajonin e Kosovës, Prandaj ky aktivitet sensibilizuese ka shumë vlera për të na bërë sa më të përgjegjshëm sepse kemi shumë punë për të bërë për njohur njëri tjetrin sa më tepër”, tha Minxhozi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat