Prokuroria në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj inspektorit të ATK-së dhe një kontabilisti

Gjakova

Prokuroria në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj inspektorit të ATK-së dhe një kontabilisti

Më: 2 tetor 2020 Në ora: 14:58
foto nga vendi ngjarjes

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe marrje të ryshfetit ndaj inspektorit tatimor, Driton Fetahu.

I akuzuar në këtë rast për veprën penale të marrjes së ryshfetit është edhe kontabilisti, Bledar Hasku.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Driton Fetahu po akuzohet se më 14.01.2019 në Rahovec, pikërisht në punëtorinë e zdrukthëtarisë “Beha”, pronë e të dëmtuarit Aliriza Hasku nga Rahoveci, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke qenë në cilësi të inspektorit të ATK-së në Prizren, e me qëllim të mos inspektimit të punëtorisë së të dëmtuarit Aliriza, përmes të pandehurit Bledar Hasku nga Rahoveci, ashtu që ky i fundit në cilësi të kontabilistit në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari Aliriza ka marrë 100 euro të holla të gatshme si dhe një tavolinë dhe katër karriga në vlerë prej 360 euro e të cilat i pandehuri Bledar ia jep të pandehurit Driton, po ashtu me datën 14.04.2020 i pandehuri Bledar nga i dëmtuari Aliriza ka marrë edhe 500 euro tjera të cilat paraprakisht janë marrë nga i dëmtuari nga ana e Njësitit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Gjakovë dhe se janë zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit- blerje e simuluar e sendit, përkatësisht simulim i veprës penale të korrupsionit, ashtu që përmes kamerave të sigurisë të cilat janë vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit gjatë aplikimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit e krejt këtë në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë nën Ppr.Kr.nr.31/20 të datës 10.04.2020, është arritur që të zihet në flagrancë i pandehuri Driton e të cilat të holla nuk kanë arritur te pandehuri Driton meqenëse i njëjti është arrestuar nga ana e policisë.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 414 i KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Driton  Fetahu dhe Bledar Hasku po akuzohen se në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuzë, i pandehuri Driton Fetahu në mënyrë të tërthortë ka pranuar përfitim material për vete dhe atë përmes të pandehurit tjetër Bledar Hasku nga Rahoveci ashtu që ky i fundit në cilësi të kontabilistit në dyqanin e zdrukthëtarisë së të dëmtuarit, nga i dëmtuari Aliriza ka marrë 100 euro të holla të gatshme si dhe një tavolinë dhe katër karriga në vlerë prej 360 euro e po ashtu me datën 14.04.2020 i pandehuri Bledar nga i dëmtuari Aliriza ka marrë edhe 500 euro tjera të cilat paraprakisht janë marrë nga i dëmtuari nga ana e Njësitit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Gjakovë dhe se janë zbatuar masat e fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit- blerje e simuluar e sendit, përkatësisht simulim i veprës penale të korrupsionit, ashtu që përmes kamerave të sigurisë të cilat janë vendosur në punëtorinë e të dëmtuarit gjatë aplikimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit e krejt këtë në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Gjakovë nën Ppr.Kr.nr.31/20 të datës 10.04.2020, është arritur që të zihet në flagrancë i pandehuri Driton e të cilat të holla nuk kanë arritur te pandehuri Driton meqenëse i njëjti është arrestuar nga ana e policisë.

Për këtë, ata po akuzohen se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i KPRK-së lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat