Rreth 98% e mësimdhënësve të imunizuar ndaj koronavirusit në Gjakovë

Gjakova

Rreth 98% e mësimdhënësve të imunizuar ndaj koronavirusit në Gjakovë

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Situata me të infektuarit në institucione arsimore në Gjakovë tashmë është më e mirë seç ishte javë më parë. Aktualisht të gjitha shkollat po mbajnë mësim me prezencë fizike dhe orar të plotë.

Në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë janë të kënaqur me numrin e mësimdhënësve të vaksinuar, ndryshe nga nxënësit që janë në numër më të ulët.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Baçi, konfirmoi për KP se aktualisht janë vetëm 14 paralele të cilat janë duke ndjekur mësimin sipas skenarit C, apo mësim në distancë.

“Në shkollat e Komunës së Gjakovës, nga raporti i fundit i cili është i datës 9 shkurt, të infektuar me COVID janë 29 mësimdhënës, ndërsa nxënës të infektuar janë 107. Vlen të theksohet se para dy jave, kemi arritur në një numër shumë më të madh të infektuarve, ku nga nxënësit kemi pasur 345 të infektuar, kurse mësimdhënës 105. Situatë kjo e cila na detyroi që 6 shkolla dhe 221 paralele të shkojnë në mësimin online” tha Baçi.

Baçi deklaroi se numri i nxënësve të vaksinuar mbetet i ulët ndërsa mësimdhënësit i janë përgjigjur në masë të madhe thirrjes për vaksinim.

“Tek nxënësit numri është shumë më i ulët për shkak se Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) dhe shkollat kanë përpiluar një deklaratë, në të cilën prindi deklarohet që do të pranojë apo jo vaksinimin e nxënësve. Kemi numër të ulët të vaksinimit të nxënësve, kurse nga 1535 mësimdhënës në komunën tonë, rreth 98% janë të vaksinuar, ndërsa 2% konsiderohen ato raste me sëmundje kronike dhe për të cilën mjekët kanë deklaruar se nuk kanë të drejtë të vaksinohen”, theksoi Baçi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, Gjakova është komuna e katër në nivel vendi me më së shumti të vaksinuar, gjithsej 108,708 qytetarë të imunizuar. Ndërsa në këtë komunë aktualisht janë rreth 800 raste aktive me COVID.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat