Pozhari kujton masakrën e tmerrshme në Gjakovë: I vranë dhe i dogjën, prisnim kur do të na vinte radha neve

Gjakova

Pozhari kujton masakrën e tmerrshme në Gjakovë: I vranë dhe i dogjën, prisnim kur do të na vinte radha neve

Nga: A.ZH Më: 2 prill 2022 Në ora: 15:20
Xhevdet Pozhari

Gazetari Xhevdet Pozhari, ka kujtuar masakrën e forcave serbe në Kralan të Gjakovës, ku u vranë dhe u më pas u djegën 20 persona.

Pozhari ka thënë se Gjakova ishte tronditur në datën e kobshme të mesnatës mes 1 dhe 2 prillit të vitit 1999, pasi në shtëpinë e Vesajve  ndodhi masakra më e tmerrshme.

Tmerri i kësaj date u shënua edhe me vrasjen e 57 civilëve të tjerë në po të njëjtën lagje.

Postimi i tij në Facebook:

Sot fëmijët e familjes Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka dhe Nushi me siguri do të ishin profesorë, mjekë, sportistë apo veç njerëz të ndershëm të këtij vendi që do të mundoheshin ne mish e me shpirt të kontribuonin për të mirën e përgjithshme. Ata do ta shijonin dashurinë, lumturinë, dhimbjen, zhgënjimin, shpresën si të gjithë ne sikur mos të vinte data e kobshme e mesnatës që ndante 1 dhe 2 prillin e vitit 1999.

Atë natë, Gjakova u trondit me lajmin se kishte ndodhur masakra më e tmerrshme në shtëpinë e Vejsave. Forcat e njësiteve paramilitare kishin hyrë në shtëpinë ku strehoheshin ëngjëjt, fëmijë të moshës prej 2 vjeç deri në 14 vjeç duke i vrarë pamëshirshëm 20 persona, prej të cilëve 14 fëmijë. Vetëm një copë mish ishte gjetur nga gjurmët e këtij gjenocidi pasi që kufomat e tyre i kishin djegur dhe shkrumbuar. Një fëmijë shpëtoi nga breshëria e plumbave. Dhe, iku mes flakëve.

Tmerri i kësaj date u shënua edhe me vrasjen e 57 civilëve të tjerë në po të njëjtën lagje. Burrat dhe djemtë e rinj u morën peng dhe më pas u zhdukën.

Të gjitha këto tmerre i përjetuam ne që në Gjakovë e prisnim kur do të na vjen radha neve....

U prehshi në parajsë, ëngjëj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat