​Aktiviteti "Ditët e Kuvendit” në Gjakovë: Deputetë të këtij rajoni takuan qytetarët

Gjakova

​Aktiviteti "Ditët e Kuvendit” në Gjakovë: Deputetë të këtij rajoni takuan qytetarët

Më: 13 prill 2022 Në ora: 22:34
​Aktiviteti "Ditët e Kuvendit” në Gjakovë: Deputetë të këtij rajoni takuan qytetarët

Në përgjigje të ftesës së Forumit për Transparencë Parlamentare, e mbështetur nga NDI, dhjetëra qytetarë të rajonit të Gjakovës janë mbledhur sot në sallën e Kuvendit Komunal, për të diskutuar më deputetë të këtij rajoni.

Në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”, në takim u diskutua për çështje të ndryshme që lidhen me kërkesat dhe preokupimet e qytetarëve, si të nivelit lokal ashtu edhe ato të nivelit qendror, çështje të cilat u adresuan tek deputetët e pranishëm.

Deputetët Agon Batusha, Hajdar Beqa, Pal Lekaj dhe Fridon Lala, takimin e vlerësuan si mundësi shumë të mirë që të njihen më afër me shqetësimet e qytetareve të Gjakovës dhe rajonit të saj dhe të adresojnë kërkesat dhe nevojat e tyre në Kuvend e instancat e tjera relevante.

Në vazhdën e këtij takimi, u shtruan pyetje të shumta që lidheshin me çështje të ndryshme, siç janë rruga magjistrale Prishtinë - Gjakovë, problemi shqetësues me mbeturina, qentë endacakë, shqetësimet rreth mungesës së shërbimeve të rezonancës në Komunën e Gjakovës, kontributet pensionale, pakoja ndihmëse e Qeverisë dhe zbatimi vetëm në Gjakovë i rregullores mbi produktet tobako (nargjile), e cila u cilësua si e dëmshme për shumë biznese të reja nga disa përfaqësuese të bizneseve lokale.

Përfaqësuesit e zgjedhur nga ky rajon, u zotuan se do t’i adresojnë dhe diskutojnë këto çështje në seanca plenare, komisione parlamentare përkatëse, deri te ministritë, pushteti qendror dhe ai lokal.

Po ashtu do të angazhohen maksimalisht e do të bashkëpunojnë drejt zgjidhjes së problemeve, si dhe përmbushjes së kërkesave të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat