Punimet në rrugën “Skënderbeu” në Gjakovë, Komuna zotohet ta përfundojë brenda muajit

Gjakova

Punimet në rrugën “Skënderbeu” në Gjakovë, Komuna zotohet ta përfundojë brenda muajit

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 14:31
Foto ilustrim

Punimet për zgjerimin e rrugës “Skënderbeu” në Gjakovë, të cilat kanë nisur vitin e kaluar, po vazhdojnë ende. Kjo rrugë që lidh Çarshinë e Vogël më rrugën transite “Tirana” por edhe me rrugën që të çon drejt Prizrenit ka nisur vitin e kaluar. Qytetarët shpresojnë që ky segment të përfundojë sa më shpejtë, ndërsa opozita në Gjakovë kritikon Komunën se ka dëmtuar bizneset gjatë kësaj kohe. Vet Komuna e Gjakovës thotë se vonesat kanë ndodhur pa fajin e tyre por premtojnë se rruga do të përfundojë deri në fund të këtij muaji.

Haziz Elshani, banor i Gjakovës, thotë se intensiteti i ulët i punimeve në rrugën “Skënderbeu” po i rrezikon pasi nuk kanë as trotuare.

Elshani: Po na rrezikohet jeta, nuk ka as trotuare

“Shumë rrezik është, si për të mëdhenj ashtu edhe për fëmijë, se është problemi se nuk ka trotuare për të ecur, por do Zoti edhe ta kryejnë se i kemi në rrezik, edhe fëmijët, edhe veten. Po duhet të ecim në mes të asfalti... Problem është shumë, ngarkesë ka sidomos pasi kanë ardhur edhe nga jashtë e aty është problemi më së shumti se janë mbushur me vetura”, u shpreh ai.

Edhe Fitore Hoxha shprehet e shqetësuar dhe e rrezikuar nga gjendja aktuale e rrugës. Ajo thotë se vonesat në përfundimin e punimeve kanë bërë që të vështirësojnë shumë qarkullimin e nënave me fëmijë të vegjël.

Hoxha: Punimet në këtë rrugë na kanë shkaktuar sidomos neve nënave

“Telashe na ka shkaktuar mjaftë, sidomos ne që jemi nëna, po duhet të shkojmë rrugë më të largëta nëse kemi punë diçka këtu... Rreziku është i jashtëzakonshëm sepse po duhet të ecim përmes makinave, nëse e shohim se ka shumë tollovi po e pengojmë edhe komunikacioni edhe ne”, theksoi kjo qytetare e Gjakovës.

Por, një tjetër qytetar, Idriz Idrizi, i gëzohet faktit që Komuna e Gjakovës ka vendosur të rregullojë rrugën “Skënderbeu”.

Idrizi: Na pengesa, por me rëndësi me u krye

“Nuk duhet me e bë hesap atë telashe, nëse nuk e kishin rregulluar do të ishte pengesë, por duhet me u krye diçka kur niset, pa pengesa nuk ka asgjë”, u shpreh ky qytetar.

Kritika për punimet në këtë rrugë kanë edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, si grupi më i madh opozitar në Kuvendin Komunal të Gjakovës.

Asamblisti i kësaj partie, Ngadhnjim Dana këto ndërhyrje në këtë rrugë i ka quajtur vetëm estetike dhe të cilat nuk do të kenë ndonjë impakt pozitiv për banorët e kësaj lagje.

Sipas tij, këto punime i kanë dëmtuar shumë bizneset që funksionojnë buzë kësaj rruge.

Dana: Këto punime janë vetëm ndërhyrje estetike

“Si pasojë e mungesës së hartave të infrastrukturës nëntokësore ka pasur disa defekte në gupacione të ujit, mirëpo edhe pas sanimit të këtyre tubacioneve si dhe motit të përshtatshëm, këto punime ende nuk janë kryer edhe pse nuk është që do të ketë ndonjë zgjidhje për banorët e kësaj lagje, por vetëm ndërhyrje estetike, por as këtë ndërhyrje estetike nuk po mund ta shohim se punimet nuk janë kryer ende edhe pse punimet fillestare kanë qenë që kjo do të kryhet brenda 3 muajve. Si pasojë e kësaj edhe banorët e lagjeve përreth dhe bizneset që operojnë në atë vend janë dëmtuar, por edhe për dëmet e bizneseve komunës së Gjakovës as që i intereson dhe nuk do t’ia di për ta”, u shpreh Dana.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjakovë, Shkumbin Kastrati për KosovaPress pranoi se projekti ka pasur disa vonesa por jo për fajin e tyre, por sipas tij investimet nëntokësore kanë ndikuar në këtë aspekt.

E për këtë projekt i cili ka nisur vitin e kaluar dhe po synohet të përfundojë deri në fund të gushtit të këtij viti Komuna e Gjakovës ka ndarë mbi 300 mijë euro.

Kastrati: Punimet në rrugën ‘Skënderbeu’ pritet të përfundojnë në fund të gushtit

Projekti ka pas disa vonesa, por jo për fajin e Komunës, por për fajin e infrastrukturës nëntokësore të cilat operatorët ekonomikë, konkretisht KRU ‘Gjakova’, KEDS kanë qenë të obliguar t’i ndërrojnë disa gypa si të ujësjellësit ashtu edhe të kanalizimit, po ashtu edhe të rrjetit elektrik. Tash jemi në vlug të punimeve, jemi në fazën e shtrimit të trotuareve të cilat besojmë që do të përfundojnë brenda 10 ditëve, mirëpo brenda këtyre 10 ditëve do të përfundoj edhe ndriçimi publike dhe sinjalizimi vertikal, ndërsa përfundimi i punimeve të rrugës ‘Skënderbeu’ besojmë se do të jetë fundi i muajit gusht”, theksoi Kastrati. 

Në Komunën e Gjakovës, përpos rrugës “Skënderbeu”, janë duke u investuar edhe në disa rrugë të tjera si në qytet ashtu edhe në fshatra.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat