Shishmani i Bokës në Gjakovë, dita-ditës po boshatiset nga banorët

Gjakova

Shishmani i Bokës në Gjakovë, dita-ditës po boshatiset nga banorët

Më: 18 qershor 2016 Në ora: 18:34
Shishmani

Përgjatë rrugës nga Gjakova për në drejtim të Junikut dhe Bajram Currit, në kilometrin e 12-të, gjendet Shishmani i Bokës, fshat kufitar i Kosovës dhe Shqipërisë, i cili, dita ditës po boshatiset nga banorët, ngase kushtet e jetesës i detyrojnë banorët e këtushëm të kërkojnë vende pune e jetë më të mirë. Banorët e këtushëm ankohen për mungesë të ujit për pije, infrastrukturës rrugore, investime të projekteve bujqësore, si dhe projekte tjera zhvillimore, që do ndikonin për jetë më të mirë. Mirëpo, problemi më i madh i këtij fshati është largimi i familjeve për në vendet e Evropës dhe Amerikës së largët, me qëllim të krijimit të kushteve më të mira jetësore. “Largimi i familjeve nga këtu, është shqetësuese për ne, ngase kushtet e jetesës na detyrojnë të marrim rrugën e largimit nga fshati”, është shprehur Ramë Mataj, kryesues i Lagjes Mazrekaj të këtij fshati, duke treguar se në këtë Lagje kanë mbetur vetëm 9 familje, pasi që tjerat që nga pas lufta kanë marrë rrugët e kurbetit. Gjithnjë sipas Mataj, ky fshat  është duke u përballë me mungesë të ujit të pijes, pasi që janë të detyruar të bartin me shishe dhe forma tjera të furnizimit, qoftë edhe nga Gjakova. “Edhet gjatë luftës së fundit kemi pësuar si fshat, ku pos pasurisë që na shkatërruan, veç në lagjen tonë kemi 18 të vrarë”, ka treguar Mataj, i cili ka humb besimin se do ketë jetë më të mirë në këtë vend kufitar, pasi që edhe djali i tij kishte marrë rrugën për në Kanadanë e largët. Mataj ka njoftuar edhe për gjendjen jo të mirë të rrjetit të rrymës elektrike, pasi që shtyllat janë që nga vitet e ’70, duke bërë që të shumtën të kenë telashe me furnizim ngase ndodhin edhe avari të shpeshta. Njëjtë shprehët edhe Besim Isufi, njëri nga banorët e paktë të këtij fshati, të cilët policia dhe ushtria serbo-sllave ia kanë vrarë 12 anëtarë të familjes. “Pos kriminelëve që na morën një numër të madh të banorëve tanë, tashmë edhe kurbeti është duke larguar njerëzimin nga këtu, sepse kushtet e jetesës po na detyrojnë të shpërngulemi për jetë më të mirë”, na thotë Isufi, i cili tregon se kanë mbet vetëm 60 banorë nga dyfishi që ishte. Sipas tij, mungesa e vendeve të punës për të rinjtë e këtij fshati, mos investimi i Qeverisë Komunale dhe asaj Qendrore, në fushat zhvillimore, po bënë se dita ditës fshati të boshatiset, duke mos u kthyer kurrë në vatrat e lindjes.

 

Për Mataj dhe Isufi, nëse vazhdohet me këtë trend të largimit të banorëve si mungesë e kushteve për jetë, pas pak kohësh ky fshat do jetë pa asnjë banorë, ndaj edhe kërkojnë përkrahjen e të gjitha institucioneve lokale e qendrore, sikurse edhe të donatorëve vendor e ndërkombëtar, të investojnë në këtë vend, të përmirësojnë jetën e banorëve dhe të ndalin shpërnguljen e mëtejme.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat