Komuna e Gjakovës ndanë 54 mijë euro për ndërtimin e 3 qendrave grumbulluese të qumështit

Gjakova

Komuna e Gjakovës ndanë 54 mijë euro për ndërtimin e 3 qendrave grumbulluese të qumështit

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 15:52
Komuna e Gjakoves

Komuna e Gjakovës, përkatësisht drejtoria e Bujqësisë ka ndarë një shumë prej 54 mijë euro për ndërtimin e 3 Qendrave Grumbulluese të qumështit. Vendimi për këtë është marrë në mbledhjen e sotme të Bordit të drejtorëve, në të cilin drejtori komunal për Bujqësi Bekim Ermeni, ka bërë të ditur se qendrat grumbulluese do të ndërtohet në 3 regjione të komunës së Gjakovës, përkatësisht në fshatin Marmull që përfshinë regjionin e Dushkajës, në fshatin Novosellë e Ulët që përfshinë regjionin e Rekës së Mirë si dhe në fshatin Botushë, që përfshinë regjionin e Rekës së Keqe.

Drejtori Ermeni ka thënë se ndërtimi i një qendre, përfshirë këtu edhe paisja e saj me të gjitha mjetet e nevojshme kushton 18 mijë euro, ndërsa përveç tri qendrave të lartpërmendura, komuna ka mjete për ndërtimin edhe të një qendre tjetër në territorin e qytetit të Gjakovës, gjë që do të ndodhë menjëherë sapo të përcaktohet lokacioni.


Ndryshe, përveç këtij vendimi, në mbledhjen e sotme të bordit komunal janë shqyrtuar edhe një sërë pikash tjera të rendit të ditës, me ç‘rast edhe janë marrë vendime të ndryshme, të cilat shkojnë në favor të përmirësimit të jetës së qytetarëve të komunës së Gjakovës.

Në këtë drejtim, është vendosur që gjatë kësaj sezone të verës t’i kushtohet rëndësi ruajtjes së ambientit nga zhurmat, kryesisht atyre muzikore. Me vendim unanim është vendosur që të ndalohet veprimtaria e disko – klubeve brenda territorit të zonës urbane, ndërsa brenda kësaj zone të lejohet vetëm funksionimi i lokaleve të vogla hoteliere – kafiterive dhe restoranteve. Sipas vendimit të marrë, këto lokale mund të punojnë vetëm deri në orën 23:00, me përjashtim të premteve dhe të shtunave, kur mund të punojnë deri në orën 24.00. 


Në lidhje me këtë temë, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka thënë se e kupton dëshirën e të rinjve dhe të bashkatdhetarëve për të festuar deri në orët e vona të natës, por në të njëjtën kohë duhet të ketë konsideratë edhe për pjesën më të madhe të qytetarëve, të cilët punojnë edhe gjatë sezonit veror, e të cilët po pengohet nga zëri i lartë i muzikës nëpër lokalet hoteliere.


Në mesin e temave dhe diskutimeve tjera që kanë kaluar në këtë mbledhje, është vendosur edhe për themelimin e komisionit për caktimin e kritereve për shpalljen e kërkesës publike vendosjen e tregut me shumicë dhe pakicë në tokë private. 


Në këtë pikë, komuna ka vendosur që të kërkojë partneritet publiko – privat, konkretisht të kërkojë dhënie të tokës në shfrytëzim të tregut me shumicë dhe pakicë, pronë kjo e cila parashihet të jetë në periferi të qytetit, në dalje për Prizren ose në dalje për Morinë, gjegjësisht rrugën e regjionit të Rekës së Keqe.


Bordi i drejtorëve gjithashtu ka miratuar edhe themelimin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave me rastin e shqiptimit të gjobave mandatarë nga Inspektorati Komunal dhe ankesave ndaj punës te inspektoreve komunal – Drejtoria për Punë Inspektuese. Sipas kryetares Mimoza Kusari – Lila, tashmë të gjithë qytetarët kanë mundësi të parashtrojnë ankesa, në të gjitha rastet kur mendojnë se u është bërë e padrejtë nga inspektorët komunal.
Në përfundim të këtij takimi, edhe një herë u është bërë thirrje publike të gjitha ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të aplikojnë për të përfituar nga granti komunal, thirrje e cila mbetet e hapur gjatë ditës së sotme dhe ditës së nesërme deri në orën 15.00.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat