Gjakova dhe Brukseli intensifikojnë bashkëpunimin zyrtar

Gjakova

Gjakova dhe Brukseli intensifikojnë bashkëpunimin zyrtar

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 17:41
Pamje nga takimi

Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, ka pritur sot një delegacion nga bashkia e Brukselit, i përbërë nga Philippe Close, drejtor i drejtorisë së financave, burimeve njerëzore dhe turizmit, Marc-Jean Ghyssels, drejtor i drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Ahmet Gjanaj e Emin Lluka shqiptarë të lindur të Bruksel, gjithashtu personalitete të njohura në jetën publike dhe politike të Belgjikës, si biznesmenë e afaristë tjerë nga Belgjika dhe Shqipëria.

Fillimisht, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka njoftuar mysafirët nga Brukseli më zhvillimet në komunën e Gjakovës, sukseset, sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen banorët e kësaj komune por edhe përfaqësuesit e qeverisjes lokale.

Me delegacionin belg, kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka bashkëbiseduar për tema të ndryshme, kryesisht me karakter të bashkëpunimit në mes të dy qyteteve. 

Në këtë drejtim, të dyja palët janë akorduar për nënshkrimin e një marrëveshje për bashkëpunim, përmes së cilës do të specifikohen fushat konkrete të bashkëpunimit. Kjo marrëveshje mund të realizohet ditëve në vazhdim, për faktin se kryetarja Mimoza Kusari – Lila tashmë e ka pranuar edhe një ftesë zyrtare, nga ana e kryetarit të bashkisë së Brukselit për ta vizituar këtë qytet.

Ndryshe, përfaqësuesit e bashkisë së Brukselit kanë bërë të ditur se kanë njohuri të mjaftueshme për komunën e Gjakovës, njohuri të cilat kryesisht i kanë marrë nga gjakovarët që jetojnë në Bruksel, një komunitet ky që u tha të jetë mjaft i respektuar në Bruksel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat