Gjakova duhet të jetë shembull për komunat tjera

Gjakova

Gjakova duhet të jetë shembull për komunat tjera

Më: 6 shtator 2016 Në ora: 19:10
Ministri Avdullah Hoti takohet me Mimoza Kusari-Lila

Ministri i Financa ka vizituar sot komunën e Gjakovës ku ka deklaruar se kjo komunë duhet të merret si shembull nga komunat tjera në Kosovë, se si duhet të përkrahet zhvillimi i bizneseve nga udhëheqësit komunal dhe ofrimi i shërbimeve sa më të mira për qytetarët e kësaj komune.

Gjatë qëndrimit të Gjakovë, ministri i financave Avdullah Hoti ka vizituar zyrën regjionale të administratës tatimore.

Ai duke u takuar me administratën e kësaj zyre tha se jo pa qëllim kam vendosur të qëndroj sot këtu duke u shprehur se është shumë i kënaqur me punën e kësaj zyre.

Hoti: ATK në Gjakovë me përformancë të mirë

“ Për nga niveli i të hyrave regjioni i Gjakovës është më i vogli në të njëjtën kohë nëse marrim parasysh përformancën që ka arritur si regjion në tetë mujorin e parë të këtij viti, të dhënat janë shumë inkurajuese, afër 40 % në rritje në krahasim me vitin e kaluar se afër 20 % më shumë se sa plani që ka pasur për këtë vit, dhe ajo që mua më gëzon si ministër është që kjo rritje e të hyrave tatimore në regjionin e Gjakovës nuk ka ardhur si rezultat e presionit që zyrtarët tatimor i bëjnë bizneseve përkundrazi ka ardhur si rezultat i vet deklarimit të bizneseve “, tha Hoti.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i ATK, Sakip Imeri, gjatë takimit u foli inspektorëve dhe të gjithë të pranishëm për punën dhe angazhimin që edhe më tej ata duhet të kenë në përmbushjen e detyrave.

U tha se do të vazhdojë puna e inspektorëve tatimor dhe ata do të shërbejnë në komuna të tjera duke përmbushur kështu edhe planet e punës së kësaj administrate.

Ministri Hoti vazhdoi vizitën duke takuar kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lilën. Fillimisht Kusari-Lila  tha se si komunë janë të përkushtuar që shumë projekte komunale t’i realizojnë me partneritet publiko-privat, ku edhe shprehi mirënjohje për përkrahjen që Komiteti i Partneritetit Publiko Privat po i jep kësaj komune.

Kusari-Lila: Komuna e Gjakovës ka kaluar në një periudhë jo të lehtë financiare

“Komuna e Gjakovës ka kaluar në një periudhë jo të lehtë financiare në raport me obligimet që i ka trashëguar dhe siç e dini jemi ballafaquar me disa probleme në disa kategori për të cilat kemi kërkuar edhe mirëkuptim nga ana e ministrit. Gjithashtu, një prej projekteve ndoshta më të mëdha kapitale por që mbesin në diskutim me Ministrinë e Financave, është çështja e hyrje-daljeve të qytetit që është një projekt në proces, domethënë në trajtim të mëtutjeshëm në mes ministrive relevante në Qeverinë e Kosovës“, tha kryetarja e komunës së Gjakovës.

Ndërsa, ministri Hoti tha se duke pasur parasysh që udhëheqja komunale është e lidhur drejtpërsëdrejti me qytetarin, komuna e Gjakovës duhet të merret si shembull për të mirë edhe nga komunat tjera në Kosovë se si duhet të përkrahet zhvillimi i bizneseve nga udhëheqësit komunal dhe ofrimi i shërbimeve sa më të mira për qytetarët e kësaj komune.

Hoti: E përgëzojë kryetaren për disiplinën financiare që ka treguar

“E përgëzojë kryetaren për disiplinën financiare që ka treguar dhe që është reflektuar në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015, ku Komuna e Gjakovës ka marrë opinion që i hap rrugën komunës që të hyjë në projekte afatgjate për t’i financuar në veçanti infrastrukturën në komunën e Gjakovës. Biseduam në veçanti për projektin e hyrje-daljeve në qytet për shkak të kufizimeve momentale ligjore që mund t’i ketë komuna e Gjakovës, në mënyrë që ta trajtojmë këtë projekt bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës në kuadër të klauzolës“, tha ai.

Ministri i është përgjigjur edhe pyetjes së përkrahjes së projekteve që ka komuna e Gjakovës për hyrje daljet e qytetit për të cilat ka thënë se i ka premtuar kryetares se do të angazhohet personalisht.

Kurse, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila  tha se me ministrin, Avdullah Hoti përveç projektit të rrugëve për hyrje daljet në komunë, kanë biseduar edhe për kërkesat buxhetore dhe projekte të tjera kapitale.

Hoti gjatë qëndrimit në komunën e  Gjakovës, së bashku me bashkëpunëtorë  vizituan edhe Ndërmarrjen Publike “Aeroporti i Gjakovës”. Këtu u interesuan nga afër për angazhimet e anëtarëve të bordit të kësaj ndërmarrje si një aset shumë i rëndësishëm për zhvillimin e vendit. 

Kryesuesja e bordit, Brikenda Kryeziu e informoi atë me situatë aktuale duke e cilësuar si mjaft delikate dhe kërkoi që të intervenohet sa më parë në përmirësimin e situatës.

Nga ana tjetër, ministri Hoti tha se do ta ketë prioritet angazhimin e tij maksimal në rehabilitimin e situatës së N P “Aeroportit i Gjakovës”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat