Kuvendi i Komunës së Gjakovës miraton buxhetin komunal për vitin 2017

Gjakova

Kuvendi i Komunës së Gjakovës miraton buxhetin komunal për vitin 2017

Më: 22 shtator 2016 Në ora: 18:45
Kuvendi i Komunës, Gjakovë

Me 27 vota pro dhe vetëm 7 vota kundër, Kuvendi Komunal i Gjakovës e ka miratuar sot Buxhetin Komunal për vitin 2017.

Në debatin e zhvilluar me këtë rast, kanë qenë përfaqësuesit e opozitës, në veçanti ata të AAK-së që kanë paraqitur disa kritika dhe vërejtje për sa i përket buxhetit të vitit 2017, të cilët në fokusimin kryesor të tyre kanë pasur projektet e planifikuara për këtë vit, si dhe projektet e ish - qeverisjes për të cilat u tha se po mohohen dhe se projektet në perspektivë nuk kanë shtrirje të gjerë dhe të kënaqshme. Megjithatë, këto kritika kanë marrë përgjigje nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka theksuar se është për tu çuditur fakti se disa asamblistë nuk kanë informacionet e duhura për thithjen e projekteve në vlera prej miliona euro, duke u nisur nga ndërtimi i objektit të ri të ngrohtores, mandej projekti i ujit të pijes, etj. Për sa i përket anashkalimit të projekteve të qeverisë se shkuar, kryetarja Mimoza Kusari - Lila duke e mohuar një gjë të tillë është shprehur se të gjitha janë në komunën e Gjakovës.

Nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila janë dhënë edhe shpjegime të tjera që përkojnë me zhvillimin ekonomik lokal, si dhe ka përkrahur propozimin e kryesuesit Luan Gola që të nisë hartimi i ndërtimit të objektit për diagnostikimin e hershëm të kancerit, si rrjedhojë e shtimit të rasteve  në Kosovë, e ku Gjakova është ndër komunat e para të qytetarëve të diagnostikuar me këtë sëmundje vdekjeprurëse.

Paraprakisht, drejtori për Buxhet dhe Financa, Teki Shala, ka bërë të ditur se buxheti komunal për vitin 2017 do të jetë në shumë prej 21, 229, 849.00 euro. Prej kësaj shume totale, për paga do të ndahen mjete në shumë prej 13, 292, 010.00 euro, apo 62. 61 për qind e këtij buxheti. Për mallra dhe shërbime do të ndahen mjete në shumë prej 2, 005, 500. 00 euro, apo 9. 45 për qind e buxhetit. Për komunali do të ndahen mjete në shumë prej 561, 899.00 euro, apo 3.20 për qind e buxhetit. Për subvencione do të ndahen mjete në shumë prej 439, 882.00 euro, apo 2.60 për qind e shumës. Kurse, për investime kapitale do të ndahen mjete në shumë prej 5, 221,942.00  euro, apo 22.15 për qind e shumës totale të buxhetit për vitin 2017.

Ndër pikat tjera me rëndësi në këtë mbledhje ka qenë informata periodike financiare për periudhën janar-qershor të vitit 2016, me ç ‘rast Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka ofruara të dhëna të detajuara. Sipas kësaj informate, për këtë periudhë kohore kanë qenë mjete në dispozicion në shumë prej 11, 750, 112.22 euro. Prej kësaj shume janë shpenzuar mjete në shumë prej 9, 625, 851.86 euro, apo llogaritur në përqindje janë shpenzuar 81.92 për qind e mjeteve të planifikuara. Nga shuma e përgjithshme vjetore e planifikuar për shpenzime për këtë vit rezulton të jenë shpenzuar mjete në shumë prej  46.37 për qind. Nga të hyrat vetjake  në periudhën e parë gjashtëmujore janë inkasuar mjete në shumë prej 1, 492, 540.00 euro, apo 97.74 për qind e shumës së planifikuar për këtë periudhë. Nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit paraprak  atëherë konstatohet se është për 23.60 për qind më e lartë. Asambleja Komunalë ka shqyrtuar dhe miratuar dhe Rregulloren për Tatimin në Pronë e Paluajtshme për vitin 2017, ku drejtori Teki Shala ka theksuar se bazohet mbi ligjin në tatimin në pronë dhe se janë të obliguar që ta paraqesin para Asamblesë Komunale, dhe se si  i tillë, nuk ka ndryshime nga viti i kaluar.

Asambleja Komunale ka miratuar edhe kërkesën për dhënien në shfrytëzim KEDS-it të dy lokacioneve për vendosjen e trafo stacioneve në lokacionet “Ali Ibra” dhe “Banimi social”, si dhe  dhënien në shfrytëzim  të trasesë për shtrirjen e kabllove transmetuese të energjisë elektrike nga lokacioni i Parkut Solar– Madanaj deri në trafo stacionin tek zona industriale veriore

Në këtë mbledhje, Saranda Hyseni, nga subjekti politik AAK, ka kërkuar që të kenë një informatë rreth transportit të nxënësve, për çfarë kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka dhënë sqarimin se është në procedurë të tenderimit, dhe pas uljes së kilometrave për transport për nxënësit, në dy kilometra largësi, është shumëfishuar edhe numri i nxënësve që do të përfitojnë nga kjo, ku nga shtatëqind sa ka qenë numri i mëparshëm tani ka shkuar në dy mijë e njëqind nxënës.

Këshilltarëve komunal, sot u është dhënë edhe raporti i punës për periudhën janar-shtator 2016 të Zyrës së Prokurimit, që është prezentuar nga udhëheqësja Albana Bakalli, si dhe raportet e punës për vitin 2015 të Ndërmarrjeve Komunale Publike "Çabrati", "Ngrohtorja e Qytetit" dhe "Stacioni i Autobuseve".

Nga Asambleja Komunale janë miratuar edhe Draft-Plani i Punës së Kuvendit Komunal për vitin 2017, Draft-Rregullorja për Transparencë në Komunën e Gjakovës, si dhe Draft-Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Gjakovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat