Një delegacion me personalitete nga Austria po qëndron për vizitë në Gjakovë

Gjakova

Një delegacion me personalitete nga Austria po qëndron për vizitë në Gjakovë

Më: 1 nëntor 2016 Në ora: 17:02
Takimi

Një delegacion i Shoqatës së Miqësisë Austri – Kosovë, prirë nga kryetari i saj Lukas Mandl, ka qëndruar sot në Gjakovë, me ç ‘rast është pritur nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila.

Në një takim tejet të ngrohtë të zhvilluar me miqtë nga Austria, është biseduar për shumë tema që kishin të bënin me komunën e Gjakovës, zhvillimet aktuale në këtë komunë si dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes të komunës së Gjakovës dhe institucioneve të ndryshme qeveritare e jo qeveritare të Austrisë.

Fillimisht kryetarja Mimoza Kusari – Lila i ka njoftuar mysafirët për disa nga elementet dhe karakteristikat kryesore të Gjakovës, ndërsa është fokusuar edhe tek angazhimi i saj që nga ardhja në krye të komunës së Gjakovë e deri në ditët e sotme. Ajo ka përmendur të gjitha sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet komuna e Gjakovës dhe ajo personalisht si kryetare, duke filluar që nga mos përkrahja e qeverisë së Kosovës, problemet me borxhet e trashëguara nga ish – qeverisja lokale e të tjera. Megjithatë, përkundër kësaj, Kusari – Lila ka thënë se gjatë tri viteve të qeverisjes së saj, në Gjakovë ka pasur lëvizje pozitive, pasi janë realizuar dhe janë në procedurë të realizimit një sërë projektesh të karaktereve të ndryshme, mes cilave Ngrohtorja e Re e Qytetit, Impianti i Ujërave të Zeka, Ujësjellësi në mbi 40 fshatra të komunës, Objekti i ri i Kuvendit Komunal e të tjera.

Nga ana tjetër, delegacioni i cili përbëhet prej përfaqësuesve të parlamentit austriak, por edhe nga personalitete tjera të njohura të sferave tjera, ka shprehur interesim për fusha të ndryshme të jetës së përditshme, konkretisht nga gjendja e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit e të tjera. Udhëheqësi i këtij delegacioni, deputeti Lucas Mandl, ka thënë se Gjakova i ka të gjitha tiparet dhe referencat e një qyteti modern evropian, prandaj edhe është e domosdoshme që ky qytet bashkë edhe me tërë shtetin e Kosovës, sa më shpejtë të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane, duke u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.

Mandl por edhe përfaqësuesit tjerë të delegacionit kanë thënë se Gjakova ka mjaft hapësira dhe mundësi të bashkëpunuar me shtetin austriak dhe për këtë do të shikohen të gjitha mundësitë që në një të ardhme të ketë bashkëpunime konkrete në mes të dy vendeve.

Ndryshe, përveç takimit, delegacioni austriak ka vizituar pjesë të ndryshme të qytetit të Gjakovës, duke dhënë kështu vlerësime tejet pozitive për vlerën kulturore dhe monumentale që ofron ky qytet. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat