Lansohet kampanja për tatim në pronë “Kryetarja kampione 2016”

Gjakova

Lansohet kampanja për tatim në pronë “Kryetarja kampione 2016”

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 16:08
Kampanja "Kryetarja Kampione 2016"

Kryetarja e komunës së Gjakovës znj. Mimoza Kusari – Lila, ka lansuar sot kampanjën “Kryetarja kampione 2016”, me të cilën fushatë inkurajohen qytetarët e komunës së Gjakovës që të vazhdojnë të paguajnë tatimin në pronë. Kjo fushatë është mbështetur nga projekti për Decentralizim dhe Përkrahje Komunale, (DEMOS), financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim.

Kryetarja Kusari – Lila, të premten ka prezantuar para mediave të gjitha projektet e realizuara nga komuna e Gjakovës në dy vitet e fundit e që janë financuar drejtpërsëdrejti nga të hyrat nga tatimi në pronë. “Në vitin 2014 komuna ka inkasuar 44% nga vlera e përgjithshme e faturës vjetore. Një vit më vonë këto të hyra kanë pas një përmirësim në vlerën afër 7% dhe kanë arritur në 51.3%, përderisa për vitin 2015 vlera ka arritur në 52%. Këtu vërehet trendi i rritjes por neve na duhet intensifikim i  trendit të rritjes”, ka deklaruar kryetarja Kusari – Lila.

Ajo ka bërë thirrje që qytetarët e komunës së Gjakovës të vazhdojnë të paguajnë tatimin në pronë në mënyrë që të rriten edhe projektet për komunitetin për një Gjakovë më të zhvilluar me infrastrukturë të mirëfilltë.

Për dallim nga viti i kaluar kur komuna kishte inkasuar rreth 2.7 milion të hyra nga tatimi në pronë, në vitin 2016 këto të hyrë kanë arritur vlerën në mbi 3 milion euro, ndërsa i është bërë thirrje qytetarëve që të paguajnë faturën vjetore për vitin 2016 deri në fund të këtij muaji. 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat