Gjakova, komuna e parë në Kosovë me rregullore për promovimin dhe të drejtat e fëmijëve

Gjakova

Gjakova, komuna e parë në Kosovë me rregullore për promovimin dhe të drejtat e fëmijëve

Më: 24 shkurt 2017 Në ora: 16:11
Debati publik për realizimin e të drejtave të fëmijëve

Në komunën e Gjakovës është mbajtur sot debati publik në të cilin janë dhënë vlerësime, vërejtje dhe sugjerime për Draft – Rregulloren për realizimin e të drejtave të fëmijëve përmes sistemit qeverisës komunal miqësor për fëmijët, rregullore kjo që është përpiluar në kuadër të projektit “Gjakova – qytet mik për fëmijët”, implementuar nga komuna e Gjakovës dhe e mbështetur nga UNICEF-i.

Rregullorja ka për qëllim ndërtimin e një sistemi të qeverisjes lokale që zotohet të përmbushë të drejtat e fëmijëve. Më saktësisht, ky është një proces i zbatimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve në nivelin lokal të qeverisjes, në atë nivel ku ka ndikim më të madh, direkt në jetën e fëmijëve.

Prezantimin e rregullores para të pranishmëve e ka bërë drejtori i drejtorisë për punë të përgjithshme administrative Armend Vokshi, i cili mes tjerash ka thënë se komuna e Gjakovës është komuna e parë në Kosovë e cila po bëhet me një rregullore të tillë, e cila do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e zhvillimit, arsimimit dhe rritjes së fëmijëve tanë.

Vokshi ka shtuar se komuna e Gjakovës e ka bërë këtë rregullore në kohën kur shumë komuna tjera jo vetëm në Kosovës por edhe në vendet e rajonit, mjaftohen vetëm me deklarata, deklarata këto që në Gjakovë janë kthyer në praktikë. Kësisoj, sipas Vokshit, me këtë iniciativë Gjakova po mundohet të adaptohet me praktikat e qyteteve më të zhvilluara evropiane.

Rregullorja në fjalë është hartuar përgjatë tërë vitit 2016, ndërsa në hartimin e saj kanë punuar një grup i madh i ekspertëve të fushave të ndryshme duke bërë kështu që ky draft të marrë tërë profesionalizmin dhe seriozitetin e nevojshëm.

Drafti i rregullores për fëmijët do të prezantohet në mbledhjen e radhës me 28 shkurt, ku pritet të marrë miratimin e asamblistëve të komunës së Gjakovës, për të nisur më pastaj edhe jetësimi i saj në praktikë.

E përveç rregullores në fjalë, komuna e Gjakovës në kuadër të saj do ta bëj për herë të parë në Kosovë ndarjen e kodit buxhetor për fëmijët, një hap ky po ashtu shumë i rëndësishëm që të intervenohet sipas planit të veprimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat