Rektori i Universitetit “Fehmi Agani”, Shaban Buza tregoi se është informuar rreth ngritjes së aktakuzës për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Aktakuza thotë se një inspektim i Inspektoratit të Arsimit konstaton se në këtë Universitet janë pranuar mësimdhënës në mënyrë të kundërligjshme.
Kallxo.com ka siguruar aktakuzën e ngritur me datën 8 maj të këtij viti nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.
Sipas aktakuzës, Inspektorati i Arsimit pas inspektimit të bërë ka konstatuar se në Universitetin e Gjakovës në mënyrë të kundërligjshme janë pranuar mësimdhënësit pa dokumentacion të noterizuar, pa dokumentacion të nostrifikuar të diplomave të lëshuara jashtë Kosovës, si dhe janë pranuar asistentë të cilët e kanë kaluar moshën e paraparë me ligj.
“Në periudhën kohore prej 9 tetorit 2015 e deri më 13 shtator 2016, në cilësinë e rektorit në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, si dhe t’i shkaktojë dëm Universitetit, ka keqpërdorë pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare”, thuhet në aktakuzë.
Akuza më tej sqaron se janë rekrutuar disa mësimdhënës dhe asistentë pas konkursit për vitin akademik 2015/2016.
“Po ashtu janë pranuar mësimdhënësit pas konkursit për vitin akademik 2015/2016 dhe nga këto janë 7 ligjërues të angazhuar dhe 20 janë asistentë të angazhuar pa konkurs, në këtë mënyrë ka bërë shkelje të ligjit duke dëmtuar të hyrat e Ministrisë së Arsimit”, thuhet më tej në aktakuzë.
Seanca gjyqësore rreth kësaj çështjeje penale është caktuar të mbahet të enjten (më 22 qershor).
I kontaktuar në telefon rektori Buza shkurt tha se është duke e shqyrtuar akuzën.
“Jam i njoftuar për akuzën që është ngritur ndaj meje, e kam marr edhe ftesën nga ana e Gjykatës dhe unë jam duke i shqyrtuar veprimet e mija me avokatin tim”, tha Buza duke mos dashur të komentojë më shumë.